
Vendimet historike të janarit 1920 hodhën themelet e sovranitetit, mbrojtën tërësinë territoriale dhe i dhanë Shqipërisë një qeveri të re kombëtare
Më 31 janar 1920, përfunduan punimet e Kongresit të Lushnjës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që shënoi një kthesë vendimtare për fatin e shtetit shqiptar. Sot mbushen 106 vjet nga vendimet e marra në këtë kongres, të cilat kishin si qëllim kryesor mbrojtjen e tërësisë territoriale, rimëkëmbjen e shtetit dhe garantimin e pavarësisë së plotë të vendit.
Kongresi u organizua në një moment kritik, kur ekzistenca e Shqipërisë vihej seriozisht në rrezik nga planet e fuqive të mëdha të diskutuara në Konferencën e Paqes në Paris. Në punimet e tij morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga shumica e krahinave shqiptare, të cilët u shprehën qartë kundër çdo tentative për copëtimin e vendit.
Vendimet e Kongresit të Lushnjës hodhën poshtë projektet ndërkombëtare që cenonin sovranitetin e Shqipërisë dhe riafirmuan mbrojtjen me çdo kusht të pavarësisë dhe të kufijve të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve u miratua edhe një akt kushtetues, ku theksohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar.
Kongresi zgjodhi organet më të larta të shtetit, duke krijuar Këshillin e Lartë me katër anëtarë, i cili do të ushtronte funksionet e kryetarit të shtetit deri në përcaktimin e formës përfundimtare të regjimit. Po ashtu, u krijua Këshilli Kombëtar me 37 përfaqësues, që do të ushtronte funksionet e parlamentit shqiptar.
Një nga vendimet më të rëndësishme politike ishte rrëzimi i Qeverisë së Durrësit dhe formimi i një qeverie të re kombëtare, të drejtuar nga Sulejman Delvina. Ky akt forcoi autoritetin e brendshëm të shtetit dhe i dha Shqipërisë një qeveri me legjitimitet kombëtar.
Kongresi i Lushnjës mbetet edhe sot një simbol i unitetit dhe vendosmërisë kombëtare, një moment kyç që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi dhe hodhi themelet e shtetit modern shqiptar.
