Dy burra, të moshës 52 dhe 50 vjeç, janë arrestuar nga autoritetet greke, të akuzuar për vrasje me dashje në bashkëpunim dhe në vazhdimësi, si edhe për një rast të rëndë përdhunimi. Çështja ka tronditur opinionin publik, pasi një bodrum në zonën Menemeni të Selanikut u zbulua si vendi ku dyshohet se janë kryer krimet.
Sipas autoriteteve, 52-vjeçari ka pranuar fajin dhe ka çuar policinë drejt bodrumit. Rasti doli në dritë natën e së premtes, më 30 janar, gjatë një emisioni investigativ.
Viktima e parë dyshohet të jetë 46-vjeçarja Maria Angelakoudi, e zhdukur që nga fillimi i tetorit 2024. Familja e saj kishte denoncuar zhdukjen në Aleksandrupoli. Sipas rrëfimit të autorit të dyshuar, më 30 tetor 2024 ai e vrau Marian në bodrumin ku konsumonin drogë, pasi ajo po fliste me zë të lartë në telefon.
Ai deklaroi se i mbylli gojën dhe e mbyti, ndërsa më pas, me ndihmën e bashkëpunëtorit, hodhi trupin e saj në mbeturina.
Hetimet morën një kthesë dramatike kur, në tarracën e të njëjtës ndërtesë, u gjet trupi i pajetë i një gruaje të dytë, e zhdukur gjatë verës së vitit 2025.
Bëhet fjalë për 43-vjeçaren Evridiki (Vicky) Koutsaki, e zhdukur që në korrik 2025. Edhe për këtë rast, 52-vjeçari dha një version tjetër, duke pretenduar se gruaja kishte vdekur në gjumë nga shkaqe natyrore, por në vend që të njoftonte autoritetet, ai e fshehu trupin e saj në tarracë, të mbuluar me batanije.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Greke, vrasjet u zbardhën pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar nga Njësia për Luftimin e Krimit të Organizuar në Greqinë Veriore. Dosja i është dorëzuar Prokurorisë përkatëse, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe nëse ka edhe vepra të tjera penale të lidhura me këtë çështje
