
Në dokumentet e publikuara nga autoritetet amerikane shfaqet aplikimi i një 21-vjeçareje shqiptare, së cilës iu kërkuan fotografi dhe materiale shtesë për intervistë
Materialet e reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA lidhur me skandalin e Jeffrey Epstein kanë nxjerrë në dritë edhe emrin e një vajze shqiptare nga Tirana, e cila në vitin 2017 rezulton të ketë aplikuar për një pozicion pune si asistente personale.
Sipas dokumenteve, email-i i aplikimit është dërguar në mars të vitit 2017 nga vajza e identifikuar me inicialet E.T., në atë kohë 21 vjeçe. Ajo i është drejtuar një ndërmjetësi, emri i të cilit është i redaktuar në dosje, duke shprehur interes për pozicionin e punës dhe duke theksuar se nuk banonte në Shtetet e Bashkuara.
Përgjigjja që ajo ka marrë ka qenë pozitive, me kërkesën që të dërgonte tri fotografi me cilësi të lartë dhe CV-në. Nga materiali i publikuar rezulton se aplikantja ka dërguar fotot e kërkuara, dokumentet profesionale, si edhe një video prezantuese si pjesë e aplikimit.
Në vijim, personi që ka ndërmjetësuar komunikimin ka kontaktuar drejtpërdrejt Jeffrey Epstein, duke e informuar se bëhej fjalë për një vajzë rreth 21–22 vjeçe, e cila sipas komunikimeve jetonte në Paris, ndonëse në CV rezultonte e regjistruar në Tiranë. Në email-in përcjellës ngrihej edhe pyetja nëse duhej realizuar një intervistë me të.
Dokumentet nuk japin të dhëna të mëtejshme nëse intervista është zhvilluar apo nëse aplikimi ka vijuar më tej, ndërsa publikimi i këtyre materialeve ka rikthyer në vëmendje mënyrën e rekrutimit dhe komunikimeve që zhvilloheshin rreth rrethit të Epstein përpara arrestimit dhe dënimit të tij.
