
Ekspertët paralajmërojnë se Mbretëria e Bashkuar është e papërgatitur për konflikte të mëdha, ndërsa rriten frikërat për sigurinë europiane dhe rolin e SHBA-së
Britania e Madhe po përballet me thirrje gjithnjë e më të forta për rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, mes paralajmërimeve se vendi është i papërgatitur për një konflikt të madh ndërkombëtar. Një raport i ri e përshkruan situatën si alarmante, duke theksuar se ushtria britanike ka rreth 70 mijë trupa aktive, numri më i ulët në më shumë se 200 vjet.
Sipas raportit, të hartuar nga deputetë dhe ish-këshilltarë të lartë të NATO-s, Mbretëria e Bashkuar nuk mund të mbështetet më plotësisht në garancitë tradicionale të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara. Autorët e dokumentit shprehin dyshime mbi angazhimin amerikan ndaj Nenit 5 të traktatit të NATO-s, që parashikon mbrojtjen kolektive në rast sulmi ndaj një vendi anëtar.
Politikat e fokusuara drejt brendësisë së SHBA-së nga presidenti Donald Tramp kanë shtuar pasiguritë te aleatët europianë, duke ngritur pikëpyetje mbi mbështetjen amerikane në rast krize. Raporti e cilëson këtë situatë si një goditje serioze për arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
Ndërkohë, disa vende europiane kanë nisur përgatitje për skenarë ekstremë. Shtete si Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Greqia dhe shtetet baltike tashmë zbatojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ndërsa Kroacia pritet t’u bashkohet së shpejti. Gjermania dhe Franca kanë zgjedhur modele vullnetare, por Berlini ka paralajmëruar se rikthimi i detyrimit mbetet një opsion nëse rekrutimet nuk rriten.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shërbimi i detyrueshëm ushtarak është hequr që në vitin 1963, por raporti sugjeron se realitetet e reja gjeopolitike mund ta rikthejnë këtë debat në qendër të politikës kombëtare, veçanërisht për të rinjtë britanikë që mund të përballen me një model të ri rekrutimi në vitet në vijim.
