
Dokumente të reja dhe burime të sigurta pretendojnë se Jeffrey Epstein kishte lidhje me Moskën dhe se përdorte vajza ruse për kompromatim të figurave më të fuqishme botërore
Publikimi i miliona dokumenteve të reja mbi aktivitetin e Jeffrey Epstein ka ringjallur akuza të rënda nga burime të inteligjencës perëndimore, sipas të cilave rrjeti i tij i abuzimit seksual mund të ketë funksionuar si një kurth i ëmbël në shërbim të shërbimeve ruse të sigurisë. Sipas këtyre pretendimeve, Epstein jo vetëm siguronte vajza për figura të fuqishme globale, por krijonte edhe materiale komprometuese që mund të shfrytëzoheshin për shantazh politik dhe strategjik.
Dosjet përfshijnë mbi një mijë dokumente ku përmendet presidenti rus Vladimir Putin dhe mijëra referenca për Moskën. Në disa emaile sugjerohet se Epstein ka pasur kontakte ose takime të planifikuara me Putinin edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 për shfrytëzim seksual të një të miture, një fakt që ka ngritur dyshime serioze në qarqet e sigurisë.
Burime amerikane pretendojnë se stili i jetesës luksoze i Epstein nuk përputhej me aktivitetin e tij zyrtar si financier dhe se kjo mund të shpjegohet nga mbështetje e fshehtë ose mbrojtje nga rrjete inteligjence. Megjithatë, theksohet se nuk ka prova dokumentare direkte që lidhin zyrtarisht Kremlinin me aktivitetet kriminale të tij.
Në dokumente përmenden edhe emra të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Bill Gates, i cili ka mohuar kategorikisht çdo akuzë, si dhe figura politike amerikane dhe britanike. Burimet sugjerojnë se shërbimet amerikane i kishin monitoruar prej vitesh kontaktet ruse të Epstein, ndërsa autoritetet britanike thuhet se kanë qenë më të rezervuara për shkak të lidhjeve të tij me anëtarë të familjes mbretërore.
Një rol kyç në këtë rrjet dyshohet se ka pasur edhe partnerja e tij, Ghislaine Maxwell, e dënuar me 20 vite burg për trafikim seksual të të miturve. Ajo është vajza e magnatit të medias Robert Maxwell, për të cilin burime të sigurisë pretendojnë se ka pasur lidhje historike me KGB-në dhe shërbime të tjera inteligjence, përfshirë Mossad.
Dokumentet përmendin gjithashtu se Epstein kishte akses të lehtë për të sjellë vajza nga Rusia dhe se ruante lidhje me krimin e organizuar rus, çka sipas ekspertëve mund ta ketë bërë edhe vetë objekt shantazhi. Në disa emaile, ai shfaqet duke ofruar ndërmjetësim apo këshilla për takime të nivelit të lartë mes zyrtarëve rusë dhe figurave perëndimore, përfshirë kontakte që lidhen me presidencën e Trampit.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2019, në rrethana që zyrtarisht u cilësuan vetëvrasje, por që familjarët dhe disa burime vazhdojnë t’i konsiderojnë të dyshimta. Zbulimet e reja nuk japin përgjigje përfundimtare, por thellojnë edhe më shumë hijet mbi një nga skandalet më të errëta të dekadave të fundit dhe mbi përdorimin e seksit si armë gjeopolitike.
