Policia e Tiranës ka njoftuar se ka finalizuar operacionin e koduar “Lockdown”, pas një hetimi dy mujor me metoda proaktive, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar katër persona të dyshuar për trafik dhe shitje armësh zjarri, të cilat dyshohet se ishin sjellë nga Kosova dhe më pas magazinuar në zonën e Selitës në Tiranë. Personat e arrestuar janë:
-Gloris Nezaj, 39 vjeç
-Rezarto Rumi, 48 vjeç
-Kelvin Caushi, 49 vjeç
-Ardjan Caushi, 45 vjeç
Njoftimi i policisë:
Sot, më datë 31.01.2026, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u finalizua operacioni policor i koduar “LOCKDOWN”.
Si rezultat i një hetimi dy-mujor, të ndjekur me metoda speciale proaktive, u dokumentua aktiviteti kriminal i trafikimit të armëve dhe municioneve, ku rezultuan të përfshirë disa shtetas, konkretisht:
• Gloris Nezaj, i biri i Robert dhe i Engjëllushe, datëlindja 23.11.1987, lindur dhe banues në Tiranë, NID I71123034E, me precedent të mëparshëm kriminal për krime kundër jetës dhe personit.
• Rezarto Rumi, i biri i Qazim dhe i Suzana, datëlindja 30.08.1978, lindur dhe banues në Tiranë, NID H80830059U, me precedent të mëparshëm kriminal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
• Kelvin Caushi, i biri i Abdulla dhe i Bakushe, datëlindja 22.06.1977, lindur dhe banues në Tiranë, NID H70622061I, me precedent të mëparshëm kriminal për krime kundër jetës dhe personit.
• Ardjan Caushi, i biri i Abdulla dhe i Bakushe, datëlindja 15.09.1981, lindur dhe banues në Tiranë, NID I10915049E.
Nga veprimet hetimore është dokumentuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, furnizonin me armë zjarri grupe kriminale që vepronin kryesisht në qarkun e Tiranës. Është provuar roli i secilit prej tyre, që nga sigurimi i pjesëve të armëve të zjarrit, magazinimi, përshtatja dhe më pas shitja e tyre.
Dyshohet se armët e zjarrit porositeshin pjesë-pjesë nga Kosova dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në zonën e Selitës. Gjatë fazës së parë të hetimit, shërbimet e Policisë sekuestruan 2 armë zjarri, në cilësinë e provës materiale, njërit prej anëtarëve të grupit që kishte rolin e shitjes te porositësit. Në vijim të veprimeve procedurale u bë i mundur identifikimi i ndërmjetësit dhe lokalizimi i ambientit ku magazinoheshin armët.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
• 3 armë zjarri automatike, me numra të stampuar: 17066910, 8414164 dhe 091748-90;
• 5 armë zjarri pistoletë, konkretisht:
• pistoletë “Crvena Zastava” Cal. 7.65 mm Mod. 70, nr. C262228;
• pistoletë me nr. EV-1051410;
• pistoletë Glock model 17, kalibër 9 mm, me mbishkrim “VNA 141 Glock”, me tytë të modifikuar për silenciator;
• pistoletë Glock model 17, kalibër 9 mm, me mbishkrim “Glock VNA”, me tytë të dalë të përshtatur me viaska për silenciator;
• pistoletë me mulli, me nr. 9887, mbishkrim “Made in Brazil”, nr. IJ223560 dhe mbishkrim “UPR”;
• 1 armë gjahu teke, me mbishkrim “Breda Brescia Italy”, nr. P15756;
• 12 krehëra për armë zjarri automatike dhe pistoleta;
• një sasi e konsiderueshme municionesh luftarakë për armë automatike dhe pistoleta;
• 1 jelek antiplumb ushtarak;
• 9 pjesë metalike të dyshuara si pjesë armësh zjarri;
• 3 radio-marrëse dhënëse, me mbishkrimin “Bondi”, si ato të Policisë;
• 9 aparate telefoni celularë;
• 1 shkop metalik si ato të Policisë dhe 1 sopatë e vogël me ngjyrë të zezë me pjesë çekiçi;
• 1 pasaportë;
• 36 000 euro;
• 1 DVR me mbishkrimin “Hikvision”.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale:
“Trafikimi i armëve dhe municioneve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 278/a/2, 279, 280, 247 dhe 180 të Kodit Penal.
