
Projekti Vault synon të ulë varësinë e SHBA-së nga Kina për mineralet kritike që përdoren në teknologji, energji dhe mbrojtje kombëtare
Administrata e presidentit Donald Tramp po përgatit krijimin e një rezerve strategjike mineralesh kritike me vlerë rreth 12 miliardë dollarë, në një përpjekje për të reduktuar varësinë e Shtetet e Bashkuara nga Kina për lëndët e para thelbësore në zhvillimin e inteligjencës artificiale, baterive, motorëve të avionëve dhe pajisjeve elektronike.
Rezerva, e quajtur Project Vault, pritet të financohet përmes rreth 1.67 miliardë dollarësh kapital privat dhe një huaje 10 miliardë dollarëshe nga U.S. Export-Import Bank. Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, projekti është konfirmuar pas raportimit fillestar nga Bloomberg.
Nisma është konceptuar si një model i ngjashëm me Strategic Petroleum Reserve, rezerva më e madhe emergjente e naftës në botë, por këtë herë fokusi do të jetë te mineralet dhe elementët e rrallë si galiumi dhe kobalti, të domosdoshëm për përdorime civile dhe industriale.
Dhjetëra kompani të mëdha teknologjie dhe prodhimi pritet të marrin pjesë në mbushjen e rezervës, duke blerë minerale nga Project Vault me çmime të paracaktuara. Kjo u mundëson atyre të mbrohen nga luhatjet e tregut pa pasur nevojë të mbajnë rezerva private.
Administrata Tramp e ka cilësuar forcimin e zinxhirit të furnizimit me minerale kritike si çështje kyçe për sigurinë kombëtare, pasi këto materiale përdoren gjerësisht edhe në sisteme ushtarake, përfshirë avionë luftarakë, raketa dhe pajisje shikimi nate.
Rezerva e re pritet të administrohet nga Department of Energy, duke u bërë një shtyllë strategjike në përpjekjet e SHBA-së për të garantuar pavarësi më të madhe ekonomike dhe teknologjike në një treg global gjithnjë e më konkurrues.
