
Operacioni policor “Again” çon në arrestimin e një personi me precedent penal, i dyshuar për vjedhje parash dhe cigaresh në dy minimarkete të qytetit
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Vlorë kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Again”, duke arrestuar një 33-vjeçar të dyshuar për disa raste vjedhjeje të ndodhura ditët e fundit në qytet.
Në pranga ka rënë shtetasi E. K., banues në lagjen Rilindja, i cili rezulton i dënuar edhe më parë për veprën penale të vjedhjes. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash dhe steka cigaresh në dy subjekte tregtare.
Rasti i parë është regjistruar më 29 janar 2026 në lagjen Pavarësia 2, ndërsa vjedhja e dytë dyshohet të jetë kryer më 31 janar 2026 në lagjen Isa Boletini. Të dyja ngjarjet kanë ndodhur në minimarkete, ku autori ka përfituar nga mungesa e pronarëve për të marrë sende me vlerë monetare.
Operacioni është zhvilluar pas informacioneve të siguruara nga puna hetimore dhe gjurmuese, që çuan në identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Policia bën me dije se vijon bashkëpunimi me Prokurorinë për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rasteve të tjera të mundshme të vjedhjes, të cilat dyshohet se janë kryer nga i njëjti person.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme ligjore.
