
Një tentativë për të blerë dy bileta për Kupën e Botës 2026 përfundon me një pagesë të gabuar, premtime rimbursimi të pambajtura dhe reagime të forta në rrjetet sociale
Një grua nga Nju Jorku ka akuzuar FIFA-n se i ka mbajtur padrejtësisht 9250 dollarë, pas një problemi serioz gjatë blerjes online të biletave për Kupën e Botës 2026. Rasti është raportuar nga mediat amerikane dhe ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.
Ngjarja daton në tetor 2025, kur Kristina Ane tentoi të blinte vetëm dy bileta, me vlerë rreth 3.700 dollarë. Sipas saj, procesi i pagesës dështoi fillimisht, por pak më vonë ajo vuri re se në kartën e kreditit ishte debituar shuma 9250 dollarë, e barabartë me pesë bileta, jo dy.
Kristina kontaktoi menjëherë FIFA-n, duke dërguar prova që tregonin qartë gabimin, por për disa ditë nuk mori asnjë përgjigje. Ajo iu drejtua edhe bankës së saj, Chase Bank, por pa sukses. Vetëm pas rreth një jave, FIFA reagoi me një propozim që ajo e cilësoi të pakuptimtë.
Sipas komunikimit me e-mail, organizata i sugjeroi që të aplikonte sërish për dy bileta të tjera, në mënyrë që më pas t’i rimbursoheshin tri nga pesë biletat e para. Kjo do të thoshte që ajo duhej të kishte gjithsej shtatë bileta aktive për të përfituar rimbursimin, një zgjidhje që Kristina e refuzoi menjëherë.
Situata u bë edhe më absurde kur ajo konstatoi se pesë biletat për të cilat ishte debituar nuk shfaqeshin fare në llogarinë e saj zyrtare në platformën e FIFA-s, duke e bërë të pamundur përdorimin apo rishitjen e tyre. Përpjekjet për sqarim me FIFA-n dhe bankën vazhduan për javë të tëra.
Më vonë, një përfaqësues i FIFA-s e informoi se rimbursimi ishte kryer më 3 dhjetor 2025, por paratë nuk u reflektuan kurrë në llogarinë e saj bankare. Edhe pas pritjes deri në fund të dhjetorit, çështja mbeti e pazgjidhur. Në një përditësim të mëvonshëm, Kristina deklaroi se banka i kishte komunikuar se nuk mund të ndërhynte më, ndërsa FIFA e kishte kontaktuar sërish dy herë, duke premtuar pagesën që ende nuk ka mbërritur.
E revoltuar nga situata, ajo ka shprehur publikisht indinjatën e saj, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si një organizatë shumëmiliardëshe mund të mbajë një shumë të tillë parash pa dhënë zgjidhje. Rasti ka nxitur reagime të forta në rrjetet sociale, ku shumë tifozë kërkojnë bojkot të Botërorit 2026 dhe flasin hapur për ndjekje ligjore ndaj FIFA-s.
