
Lëkundja me magnitudë 3.7 ballë u regjistrua pranë Bilishtit dhe u ndje veçanërisht në katet e larta të banesave
Një tërmet me intensitet të lehtë është ndjerë mbrëmjen e së mërkurës në juglindje të Shqipërisë, duke përfshirë zonat e Korçës dhe Bilishtit. Sipas të dhënave paraprake, lëkundja ka pasur një magnitudë 3.7 ballë të shkallës Rihter.
Epiqendra e tërmetit është përcaktuar rreth 7 kilometra larg qytetit të Bilishtit, ndërsa thellësia ka qenë rreth 5 kilometra, faktor që ka bërë që lëkundjet të perceptohen më të forta, sidomos në ndërtesat shumëkatëshe.
Banorë nga të dy qytetet raportojnë se lëkundja ka zgjatur pak sekonda, por ka qenë e mjaftueshme për të shkaktuar shqetësim dhe dalje të menjëhershme nga banesat. Pavarësisht panikut të momentit, deri tani nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar.
Autoritetet lokale dhe shërbimet përkatëse janë në monitorim të situatës, ndërsa pritet një konfirmim zyrtar me të dhëna të detajuara nga institucionet sizmiologjike për aktivitetin e regjistruar.
