
Ryan Routh dënohet me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje ndaj presidentit amerikan gjatë fushatës zgjedhore
Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka dënuar me burgim të përjetshëm Ryan Routh, personin që tentoi të vriste presidentin amerikan Donald Tramp gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024. Vendimi u dha nga gjyqtarja federale Aileen Cannon, disa muaj pasi një juri e shpalli Routh fajtor për të gjitha akuzat që lidhen me atentatin e dështuar.
Sipas autoriteteve amerikane, Routh kishte planifikuar për muaj me radhë sulmin ndaj Tramp dhe ishte i gatshëm të vriste këdo që do t’i dilte përpara. Departamenti i Drejtësisë argumentoi se dënimi maksimal ishte i domosdoshëm, duke theksuar se i pandehuri nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese për veprimet e tij.
Gjatë procesit gjyqësor, Routh kishte zgjedhur fillimisht të përfaqësonte veten, por para seancës së dënimit kërkoi një avokat mbrojtës. Mbrojtja kërkoi një dënim më të lehtë, duke pretenduar se i akuzuari nuk kishte kryer akt terrorist dhe se mosha e tij përjashtonte rrezikun për shoqërinë në të ardhmen. Këto argumente u rrëzuan nga gjykata.
Routh u shpall fajtor për disa vepra penale të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje ndaj një kandidati presidencial, posedim arme për kryerje krimi të dhunshëm, sulm ndaj një oficeri federal dhe posedim arme me numër serial të fshirë. Pas shpalljes së verdiktit, ai tentoi të vetëlëndohej në sallën e gjyqit, por u ndalua nga forcat e rendit.
Atentati i dështuar ndaj Tramp ishte një nga dy sulmet serioze që shënuan fushatën zgjedhore të vitit 2024 në SHBA, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë politike në vend. Dënimi i përjetshëm ndaj Routh shihet nga autoritetet amerikane si një mesazh i fortë se dhuna politike nuk do të tolerohet në asnjë formë.
