Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me nga 56 muaj burg secili, pasi u shpallën fajtorë për një seri vjedhjesh të organizuara në shtatë banesa në Angli. Mes banesave të grabitura ishte edhe shtëpia e një ish-futbollisti të njohur të Aston Villa dhe Birmingham City.
Denis Puka, 28 vjeç, dhe Erisjan Laska, 29 vjeç, së bashku me një person të tretë ende të paidentifikuar, kryen disa tentativa grabitjeje gjatë tre netëve radhazi në qershor të vitit të kaluar. Ata kishin marrë me qira një apartament Airbnb në Warrington, të cilin e përdorën si bazë operimi, ndërsa udhëtonin nga zona të tjera për të kryer vjedhjet.
Sipas gjykatës së Chester, grupi veproi në mënyrë të sofistikuar dhe të mirëorganizuar. Ata përdorën një automjet Seat Leon, të pajisur me tre targa false që i ndërronin gjatë aksioneve, kryesisht në zonën e Cheshire. Gjithashtu, ishin të pajisur me maska, mjete pune dhe radio komunikimi.
Mes banesave të shënjestruara ishte edhe shtëpia e Scott Hogan, ish-lojtar i Aston Villa dhe Birmingham City, aktualisht sulmues i Milton Keynes Dons. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 7 qershorit, kur futbollisti u zgjua nga drita e një llambe që ndriçonte dritaren e dhomës së gjumit. Në atë moment, në shtëpi ndodheshin edhe bashkëshortja e tij, atëherë shtatzënë, si dhe vajza e tyre e vogël.
Dy shqiptarë dënohen me burg për grabitje në Angli,
Sipas prokurorisë, tre personat kishin hyrë në oborr dhe tentuan të arrinin te dritarja e dhomës së gjumit duke u ngjitur mbi njëri-tjetrin. Hogan i pa dhe tentoi t’i ndiqte, por autorët u larguan me vrap. Nga kjo banesë nuk u mor asgjë, por futbollisti deklaroi se ngjarja i ka shkaktuar net pa gjumë, stres dhe ankth të vazhdueshëm, duke e detyruar të instalojë një sistem të ri sigurie për familjen.
Gjatë dhënies së dënimit, gjyqtari Steven Everett e cilësoi veprimtarinë e tyre si “të sofistikuar dhe të mirëplanifikuar”, duke theksuar traumën e shkaktuar te viktimat, veçanërisht te futbollisti dhe familja e tij.
