Policia e Tiranës ka goditur një rast të vjedhjeve të organizuara, ku në pranga është vënë një 14-vjeçar.
Po ashtu, u arrestuan edhe dy shtetas të dyshuar për disa raste vjedhjeje, ndërsa hetimet kanë zbuluar se i mituri dyshohet të jetë përfshirë në një numër shumë të lartë vjedhjesh gjatë viteve të fundit.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me objektiva parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të kryera, finalizuan operacionin policor të koduar “Popular”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit A. D., 48 vjeç dhe A. H., 41 vjeç, si dhe një 14-vjeçar që dyshohet se ka kryer 4 vjedhje, gjatë muajit shkurt, 2026.
Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit kanë shtyrë të miturin, për të vjedhur 1 motomjet, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, të cilin e ka përvetësuar 41-vjeçari.
Gjatë kontrollit në një garazh në pronësi të shtetasit A. H, janë gjetur e sekuestruar 2 motomjete dhe pjesë motomjetesh.
I mituri dyshohet se gjatë 2 viteve të fundit, ka kryer rreth 150 vjedhje.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
