
Email-e të reja zbulojnë se vizita që ish-princi e quajti “ndarje përfundimtare” ishte në fakt një qëndrim pesëditor me darka madhështore, takime biznesi dhe prani personazhesh të famshëm
Dokumente të sapopublikuara nga hetimet amerikane mbi Jeffrey Epstein hedhin dyshime të forta mbi deklaratat publike të Prince Andrew lidhur me udhëtimin e tij të fundit në Nju Jork në dhjetor 2010. Ish-princi kishte pohuar se vizita kishte vetëm një qëllim, t’i komunikonte personalisht Epsteinit ndërprerjen e marrëdhënies mes tyre pas dënimit të tij penal. Por email-et e reja tregojnë një realitet krejt tjetër.
Sipas dokumenteve, qëndrimi në Nju Jork zgjati pesë ditë dhe përfshinte një agjendë të ngjeshur me darka luksoze, takime sociale dhe diskutime për projekte të ardhshme. Jeffrey Epstein organizoi një darkë madhështore në rezidencën e tij në Manhattan, me pjesëmarrjen e figurave të njohura nga bota e artit, medias dhe politikës, ndërsa komunikimet e brendshme e përshkruajnë mbrëmjen si “sensacionale”.
Email-et tregojnë gjithashtu se gjatë kësaj periudhe Epstein priti mysafirë të shumtë dhe ishte në kontakt për sjelljen e modeleve dhe të ftuarve të rinj. Mes emrave që përmenden është edhe modelja letoneze Lana Zakocela, e cila u transportua nga aeroporti dhe u sistemua për disa netë në shtëpinë e Epsteinit, pikërisht gjatë qëndrimit të Andrewt.

Ndërkohë, komunikimet tregojnë se ish-princi dhe Epstein zhvilluan edhe takime që shkonin përtej një lamtumire formale. Ata u panë së bashku duke shëtitur në Central Park, shkuan për pazar në dyqane luksoze dhe u përfshinë në biseda për mundësi të ardhshme biznesi, duke përfshirë kontakte me drejtues bankash dhe figura ndërkombëtare.
Dokumentet bien ndesh edhe me pretendimin e Andrew-t se pas këtij udhëtimi ai nuk kishte më asnjë kontakt me Epstein. Email-e të mëvonshme tregojnë se komunikimi vazhdoi edhe pas kthimit në Britani, përfshirë mesazhe urimi për Krishtlindje dhe shprehje afërsie që nuk përputhen me një shkëputje të plotë.
Ish-princi ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje ligjore dhe çdo përfshirje të paligjshme, por publikimi i këtyre materialeve ka rihapur debatin publik dhe ka thelluar krizën e reputacionit rreth figurës së tij. Dosjet Epstein vazhdojnë të zbulojnë detaje që sfidojnë versionet zyrtare të dhëna ndër vite, duke e kthyer këtë udhëtim në një nga episodet më të errëta dhe më të diskutuara të lidhjes mes Andrew-t dhe financierit tashmë të ndjerë.
