Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sadushi: Ka korrupsion në sistemin e drejtësisë, qytetarët nuk kanë besim
Është drejtësia shqiptare sot në nivelin që qytetarët presin prej saj?
Kjo është pyetja që na vë të gjithëve përpara realitetit. Nuk jam këtu për të bërë retorikë apo për të zbukuruar realitetin. Jam për të thënë të vërtetën, edhe kur ajo nuk na pëlqen. Ky është detyrimi im si Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe si Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Ne e dimë të gjithë se ku ndodhemi, por shpesh zgjedhim të mos e themi hapur. Unë zgjedh ta them.
E vërteta është se kemi ecur përpara, kemi ndërmarrë reforma të guximshme, por ende nuk kemi arritur të fitojmë plotësisht besimin e qytetarëve. Mungesa e besimit publik është plaga jonë më e madhe. Ndaj sot është koha jo për lavdërime, por për përgjegjësi, jo për heshtje, por për zë të fortë, jo për të pritur nga të tjerët, por për të nisur nga vetja. Vetëm duke pranuar mangësitë tona dhe duke treguar integritet në çdo vendim, mund të ndërtojmë një gjyqësor që nuk është thjesht institucion, por themel i shtetit të së drejtës, një drejtësi që i shërben qytetarëve dhe fiton respektin e Europës.
Projekti Enhancing Judicial Integrity in Albania vjen në një moment të rëndësishëm. Reforma në drejtësi është në një fazë delikate. Institucionet e drejtësisë janë funksionale, por nëse qytetari shqiptar nuk e ndien se gjykata është vendi ku merr drejtësi, atëherë e gjithë kjo mbetet e paplotë. Raportet e Komisionit Europian e thonë hapur: ka progres, por vetëm “progres i moderuar”. Ka institucione të reja, por ndikimi mbi drejtësinë mbetet shqetësim. Ka vendime, por cilësia dhe koherenca e tyre është ende e ndryshueshme.
Vetingu ishte hapi më i guximshëm, më i domosdoshëm dhe më i dhimbshëm i kësaj reforme. Ai tregoi se askush nuk është mbi ligjin dhe se gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë imun ndaj kritikës, kontrollit apo llogaridhënies. Vetingu nuk është certifikatë e përjetshme pastërtie. Përkundrazi, kalimi i vetingut është vetëm pika e nisjes për një standard të ri: gjyqtarët dhe prokurorët duhet të dëshmojnë çdo ditë me vendime, me sjellje dhe me qëndrime se janë të denjë për besimin që u është dhënë.
Megjithatë, të gjithë e dimë se vetingu nuk është zgjidhja përfundimtare. Vetingu u mendua si një masë e jashtëzakonshme dhe si një mjet i përkohshëm. Nëse sistemi ynë do të mbetet peng i masave emergjente, atëherë nuk do të arrijmë kurrë të ndërtojmë një drejtësi që qëndron mbi themele të forta. Sfida jonë sot është të kalojmë nga instrumenti i jashtëzakonshëm tek mekanizmat e përhershëm, nga pastrimi i sistemit tek ndërtimi i tij, nga frika tek vetëdija, nga rregulli i imponuar tek kultura e brendshme. Vetëm kështu reforma nuk mbetet një episod, por bëhet trashëgimi, e cila ndërtohet mbi katër shtylla: llogaridhënie, paanësi, etikë dhe integritet. Këto nuk janë vetëm parime abstrakte, por themelet mbi të cilat ngrihet besimi i publikut tek drejtësia.
Llogaridhënia është e para dhe më e domosdoshmja, është themeli mbi të cilin qëndron gjyqësori. Nëse gjykata nuk jep llogari për vendimet e saj, nëse gjyqtari nuk ndjen përgjegjësi për çdo akt që merr, atëherë reforma mbetet e gjymtuar. Një gjyqtar i mirë nuk është ai që i frikësohet kontrollit, por ai që e ndien se çdo vendim i tij qëndron përballë ligjit dhe shoqërisë. Në këtë mënyrë llogaridhënia bëhet kulturë e brendshme dhe jo masë e imponuar nga jashtë.
Në këtë kulturë, paanësia është zemra që i jep jetë drejtësisë, është garancia që qytetari nuk përballet me paragjykim, as me interesa të caktuara. Gjyqësori ende përballet me perceptime të forta për ndikime të jashtme, për vonesa, për mungesë qëndrueshmërie në vendime. Kjo dëmton besimin publik. Nuk mjafton që vendimi të jetë i drejtë sipas ligjit, por ai duhet të perceptohet si i drejtë. Qytetari që hyn në gjykatë nuk sheh vetëm aktet dhe procedurat; ai sheh sjelljen e gjyqtarit, si dëgjohet fjala e tij, respektin që merr në sallë, barazinë që i garantohet. Dhe vetëm kur ai të dalë nga gjykata me bindjen se u trajtua si i barabartë, ne kemi kryer misionin tonë.
As llogaridhënia dhe as paanësia nuk qëndrojnë pa integritetin, që është prova e përditshme e një gjyqtari. Integriteti nuk matet me deklarata pasurie, por me vendimin e guximshëm, me respektin ndaj më të dobtit, me refuzimin e kompromisit dhe me qëndrimin përballë presionit. Integriteti është arma më e fortë kundër korrupsionit.
Dhe këtë duhet ta themi hapur: perceptimi për korrupsion në gjyqësor ekziston. Nuk na nderon nëse e mohojmë; përkundrazi, na forcon kur e pranojmë. Jo për të ulur moralin, por për të ngritur përgjegjësinë, sepse vetëm duke pranuar dobësitë tona mund të bëhemi më të fortë. Ky është edhe kuptimi i këtij projekti ndërkombëtar.
Nëse korrupsioni është një plagë e dukshme, konformizmi është rreziku i padukshëm që gërryen themelet e drejtësisë. E kam thënë shpesh. Një nga problemet më të mëdha që ka mbërthyer sistemin e drejtësisë është konformizmi. Një drejtësi që pajtohet me çdo presion, që përshtatet me çdo rrethanë, nuk është drejtësi. Një gjyqësor konformist është një gjyqësor i dobët. Ne nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta, edhe kur ajo është e hidhur, sepse vetëm duke e thënë hapur, ne bëjmë hapin për ta ndryshuar.
Sidoqoftë ndryshimi nuk vjen vetëm nga denoncimi i së keqes. Ai kërkon edhe ndërtimin e një kulture të re përgjegjshmërie, që duhet të mishërohet çdo ditë në sallat e gjyqit, në vendimet që marrim dhe në mënyrën si e ushtrojmë detyrën. Kjo përgjegjshmëri individuale nuk mjafton nëse nuk përkthehet në përgjegjësi institucionale.
Asnjë institucion nuk është i përjashtuar nga përgjegjësia, as Gjykata e Lartë. Përkundrazi, barra jonë është më e madhe, sepse nga vendimet tona varet jo vetëm fati i çështjeve konkrete, por edhe mesazhi që shoqëria merr për drejtësinë. Çdo vendim është një mësim, një udhëzues dhe një garanci për qytetarët. Nëse Gjykata e Lartë nuk mban të ndezur dritën e përgjegjshmërisë, nuk mund të presim që i gjithë gjyqësori të ndriçojë.
Në këtë drejtim, Gjykata e Lartë ka treguar rezultate të prekshme: në uljen e ndjeshme të numrit të çështjeve të prapambetura, në rritjen e cilësisë së vendimmarrjes përmes njësimit dhe konsolidimit të praktikës gjyqësore dhe vendosjes së standardeve më të qarta për sistemin. Por duhet të pranojmë edhe mangësitë, që lidhen me vonesat në gjykim, a me vendime jo përherë konsistente. Llogaridhënia fillon nga ne, dhe vetëm duke qenë të ndershëm me mangësitë tona kemi të drejtë të kërkojmë ndryshim tek të tjerët.
Kjo është sfida jonë e vërtetë: që Gjykata e Lartë të mos shihet thjesht si organ që zgjidh çështje, por si një model që orienton gjithë sistemin. Nga ky institucion pritet jo vetëm efikasitet, por edhe vizion, qartësi dhe shembull. Siç ka theksuar edhe Progres-Raporti i Komisionit Europian, pavarësisht përpjekjeve tona për unifikimin e praktikës gjyqësore përmes identifikimit të çështjeve, udhëzimeve të brendshme dhe shpërndarjes së vendimeve kryesore, problemet e qëndrueshmërisë së kësaj praktike ende mbeten.
Përgjegjësia e Gjykatës së Lartë është e madhe, por ajo nuk ka kuptim nëse nuk mishërohet nga çdo gjyqtar, sepse drejtësia është fytyra, zëri dhe vendimi i secilit prej nesh.
Pikërisht për këtë, mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes marrin rëndësi të posaçme. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka një rol të qartë ligjor si organ disiplinor, dhe ky funksion është i pazëvendësueshëm. Sistemi ka nevojë që shkeljet të hetohen, por ILD nuk duhet të mbetet vetëm një organ ndëshkimi. Po aq i rëndësishëm është është roli i tij parandalues dhe edukues: të ofrojë udhëzime mbi standardet etike, të nxjerrë mësime nga praktika disiplinore dhe të krijojë hapësira reflektimi për gjyqtarët e rinj. Vetëm duke bashkuar ndëshkimin me parandalimin, disiplinën me edukimin, ky institucion mund të ndërtojë një kulturë të qëndrueshme përgjegjshmërie në gjyqësor dhe kontrolli të shndërrohet nga një instrument frike në një instrument besimi.
Nuk i shmangen kritikës as Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Me shumicë magjistratë në përbërje, këto organe duhet të marrin më shumë përgjegjësi si qeverisës të vërtetë të drejtësisë. Ritmi i ngadaltë në procedurat e promovimit, ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele ka sjellë pasiguri dhe pengesa në punën e gjykatave, ndaj kërkohet vendimmarrje më e shpejtë dhe transparente. Po aq e domosdoshme është ngritja e zërit për nevojat buxhetore, njerëzore dhe infrastrukturore, duke i imponuar këto si kërkesa kushtetuese e jo si çështje dytësore. Magjistratët që sot janë anëtarë të këshillave duhet të kujtojnë se nesër do të kthehen në pozicionet e tyre në gjykata e prokurori dhe do të jenë vetë ata që do të ndiejnë pasojat e një keqmenaxhimi apo mungese vizioni. Edhe anëtarët jomagjistratë, që mbajnë drejtimin e këshillave si kryetarë dhe zëvendëskryetarë, duhet të ushtrojnë lidership të vërtetë, me autoritet dhe integritet, për t’u përballur me pushtetet e tjera në emër të gjyqësorit. Vetëm duke treguar autoritet, vizion dhe koherencë, dy këshillat mund të fitojnë legjitimitet të plotë dhe të shihen si organe që qeverisin drejtësinë në interes të publikut dhe jo si struktura që humbasin besimin e kolegëve të tyre.
E pikërisht në këtë klimë pritshmërish, rëndohet edhe barra mbi SPAK-un dhe gjykatat e posaçme. Ato kanë fituar respektin e publikut dhe qytetarët i shohin si shpresën konkrete të reformës. Por ky respekt nuk është garanci e përhershme: ai duhet fituar çdo ditë, me hetime të paanshme, gjykime të shpejta dhe vendime të argumentuara. Në këtë sfond, edhe prokuroria e zakonshme nuk mund të mbetet në hije. Ajo është porta e parë e drejtësisë për qytetarët dhe aty matet çdo ditë besimi real tek shteti i së drejtës. Pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i SPAK-ut nuk mund të ketë efekt të plotë.
Ky standard mund të qëndrojë i fortë vetëm nëse ngrihet mbi përgatitjen e brezit të ri. Dhe këtu është roli i Shkollës së Magjistraturës, prej të cilës pritet të formohen gjyqtarë e prokurorë me karakter dhe jo vetëm me dije juridike. Raporti i fundit i Komisionit Europian ka vënë në dukje mangësi në drejtim të përmirësimit të cilësisë programeve, rishikimit të kurrikulave në mënyrë gjithëpërfshirëse, të procedurave të pranimit apo të rekrutimit të stafit pedagogjik në Shkollë, çka cënon integritetin e institucionit. Këto janë sfida që kërkojnë vullnet të fortë reformues, sepse pa një Shkollë të Magjistraturës me standarde të larta nuk mund të kemi gjyqtarë e prokurorë të aftë t’i shërbejnë shtetit të së drejtës.
Në këtë mënyrë, vetëm duke pranuar dobësitë tona, ne mund të bëhemi më të fortë. Të gjitha këto tregojnë se drejtësia nuk ndërtohet nga një institucion i vetëm. Vetëm nëse Gjykata e Lartë, Këshillat, ILD, SPAK, Gjykatat e posaçme dhe Shkolla e Magjistraturës ecin së bashku, reforma bëhet realitet. Nëse secili sheh vetëm detyrën e vet të ngushtë, reforma mbetet letër.
Sot Shqipëria ndodhet në prag të një etape vendimtare të integrimit europian. Por le të jemi realistë: kapitujt e integrimit nuk mbyllen me fjalime politike, por me rezultate të matshme në të gjithë zinxhirin e sundimit të ligjit, nga hetimi policor dhe ndjekja penale e besueshme, te gjykime të paanshme e të shpejta, zbatim i vendimeve gjyqësore, administratë publike meritokratike, luftë e qëndrueshme kundër korrupsionit, mbrojtje e të drejtave themelore dhe liri e medias, si dhe një ekonomi funksionale që respekton rregullat. Brenda kësaj tabloje, vendimet gjyqësore që fitojnë besimin e qytetarëve janë prova e padiskutueshme se reforma po funksionon. Ky nuk është kusht i vendosur nga Brukseli, është kërkesë e qytetarëve tanë, është detyrimi ynë për ta përmbushur.
Kjo do të ndodhë vetëm kur të ndërtojmë një kulturë të re gjyqësore, e cila nënkupton:
Vetëdije të përditshme etike, ku integriteti nuk shihet si detyrim formal, por si pjesë natyrore e identitetit profesional;
Solidaritet institucional, ku çdo gjyqtar e sheh veten si pjesë të një trupi të vetëm, jo si individ i izoluar;
Mentorim dhe shembull personal, ku brezat e rinj mësojnë prej gjeneratës me përvojë jo vetëm ligjin, por edhe kulturën e sjelljes gjyqësore;
Transparencë dhe komunikim me publikun, që vendimet të kuptohen, të respektohen dhe të pranohet se drejtësia është në shërbim të qytetarëve;
Reflektim të vazhdueshëm mbi rolin tonë si gjyqtarë, mbi përgjegjësinë që mbajmë dhe mbi pasojat që vendimet tona kanë në jetën e njerëzve.
Të nderuar kolegë,
Këto nuk janë thjesht parime abstrakte, por kushtet konkrete që qytetarët presin të shohin në veprim. Ata nuk presin më fjalime entuziaste, por rezultate. Ata duan një drejtësi që vepron, që jep vendime të drejta e të shpejta, që i shpjegon ato qartë, që i bën gjyqtarët të shihen si shembuj ndershmërie dhe jo si të privilegjuar të sistemit.
Ne kemi përgjegjësinë të ndërtojmë një drejtësi ndryshe, që nuk fshihet, por del hapur, që nuk hesht, por flet me guxim, që nuk pajtohet me presionin, por qëndron mbi të, që nuk është vetëm për juristët, por mbi të gjitha për qytetarët. Vetëm kështu do të fitojmë besimin e publikut dhe respektin e Europës. Prandaj le ta shohim këtë projekt jo vetëm si një nismë teknike, por si një mundësi për të ndërtuar atë që mungon më shumë: një drejtësi që jo vetëm jepet, por që edhe besohet, jo vetëm e pavarur, por edhe e përgjegjshme, jo vetëm formale, por edhe morale, jo konformiste, por e ndershme dhe vizionare. Vetëm kështu sakrificat e reformës do të kthehen në trashëgimi. Një trashëgimi e fortë dhe e qëndrueshme për brezat që vijnë.
Ju faleminderit!