

Mijëra protestues në Malieveld; përplasje me policinë, bllokim autostrade dhe djegie e një makine policie, pak javë para zgjedhjeve të 29 tetorit.
Policia holandeze përdori ujë për të shpërndarë protestuesit kundër imigracionit në Hagë, pasi një grup u shkëput nga turma kryesore dhe, sipas një zëdhënësi të bashkisë, bllokoi një autostradë, duke hedhur shishe dhe gurë ndaj oficerëve.
Protesta, e organizuar nga aktivistja e djathtë Els Rechts, u zhvillua rreth një muaji para zgjedhjeve të parakohshme kombëtare në Holandë. Sipas mediave vendase,në protestë morën pjesë mijëra vetë dhe të paktën një makine policie iu vu zjarri.
Lideri i Partisë për Liri (PVV), Geert Wilders, në një postim në X, dënoi dhunën, duke thënë: “Bllokimi i autostradës dhe përdorimi i forcës kundër policisë është plotësisht i papranueshëm”.
Zgjedhjet e 29 tetorit vijnë pas rrëzimit të koalicionit qeverisës; në qershor, Wilders tërhoqi partinë e tij nga kabineti 11-mujor i drejtuar nga ish-kryeministri Dick Schoof, duke akuzuar partnerët se nuk mbështetën planet për ashpërsimin e azilit.