

Dy artizanë francezë në gjyq për mobilje të falsifikuara që mashtruan edhe Versajën, duke tronditur tregun e artit dhe botën e antikuarëve.
Në gjykatën e Pontoise ka nisur procesi ndaj ekspertit të mobiljeve të shekullit XVIII, Bill Pallot dhe artizanit Bruno Desnoues, të cilët akuzohen për prodhimin dhe shitjen e kopjeve të sofistikuara që përfunduan në Kështjellën e Versajës përmes ndërmjetësve të njohur të tregut të antikuarëve.
Rasti ka tronditur botën e artit francez dhe është cilësuar si skandali më i madh i falsifikimeve të dekadës. Karriget e rreme, të realizuara sipas modeleve origjinale të shekullit XVIII, u shitën si autentike, duke u futur në koleksionet e Versajës.
Në sallën e gjyqit, Pallot pranoi rolin e tij, duke thënë: “Ai prodhonte, unë shisja, ishte një lojë”, ndërsa mohoi të kishte marrëdhënie direkte me administratën e kështjellës. Sipas tij, gjithçka u krye përmes ndërmjetësve, mes tyre edhe antikuari i famshëm parisien Kraemer.
Ky skandal ka dëmtuar rëndë imazhin e domenit mbretëror dhe ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e institucioneve muzeale, të shtëpive të ankandit dhe të vetë ekspertëve. Koleksionistët dhe publiku kanë shfaqur më shumë mosbesim, ndërsa tregu i mobiljeve antike ka kaluar një periudhë krizash.
Vendimi për këtë çështje pritet të jepet në muajt e ardhshëm, por pavarësisht përfundimit ligjor, karriget e rreme të Versajës, do të mbeten një plagë e hapur në historinë e re të artit francez.