

Nën valën e pasigurisë së krijuar nga urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump, Shtëpia e Bardhë thotë se tarifa është një-herëshe për çdo aplikim dhe nuk prek rinovimet apo udhëtimet e mbajtësve ekzistues.
Administrata amerikane qartësoi se tarifa e re prej 100 mijë dollarësh do të aplikohet vetëm për aplikimet e reja të vizës H-1B dhe jo për mbajtësit aktualë (as për rinovimet, as për hyrje/dalje nga SHBA). H-1B u lejon kompanive amerikane të sponsorizojnë punonjës me aftësi të specializuara (p.sh., inxhinieri, IT, shkencë).Sipas zëdhënëses Karoline Leavitt, bëhet fjalë për një pagesë një-herëshe, për çdo aplikim, dhe jo një detyrim vjetor.
Urdhri u nënshkrua të premten mbrëma dhe hyn në fuqi sot, të dielën, 21 shtator 2025, në orën 12:01 të mëngjesit (ET), me vlefshmëri fillestare njëvjeçare, e zgjatshme me vendim të administratës.
Fill pas nënshkrimit, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, sugjeroi se tarifa mund të ishte vjetore dhe të prekte si aplikimet e reja, ashtu edhe rinovimet, çka nxiti shqetësim të gjerë te punonjësit dhe kompanitë e teknologjisë. Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë këtë interpretim një ditë më pas.
Sipas sqarimit zyrtar, mbajtësit ekzistues të H-1B edhe nëse ndodhen jashtë SHBA për momentin, nuk do të tarifohen me 100 mijë dollarë për të rihyrë në vend dhe nuk u ndryshon e drejta e udhëtimit sipas rregullave të deritanishme.
Për shkak të pasigurisë fillestare, kompani të mëdha si Amazon, Microsoft, Google dhe Goldman Sachs u dërguan memo punonjësve që të qëndrojnë në SHBA ose të kthehen urgjentisht para hyrjes në fuqi të urdhrit.
India, qytetarët e së cilës përbëjnë rreth tre të katërtat e mbajtësve H-1B, paralajmëroi për pasoja humanitare dhe ndërprerje familjare, teksa kërkoi qartësi të mëtejshme nga Uashingtoni.