

ROMË : “Lajmi për vdekjen e babait tim është fake! Massimo Ranieri është mirë, falë Zotit. Dhe kush vazhdon të përhapë këto lajme për përfitimin e vet duhet të turpërohet”: Cristiana Calone u detyrua të përgënjeshtrojë në rrjete sociale lajmin e rremë për vdekjen e këngëtarit të njohur napolitan, që u bë viral në platformat kryesore, ku qarkullonin postime e mesazhe ngushëllimi nga fansat.
Lajmi i rremë u shpërnda nga një faqe lokale, në një artikull, madje me firmë të një gjoja-gazetareje, me një titull tipik e plotësisht mashtrues, duke lënë të kuptohej se artisti kishte ndërruar jetë:
“Lamtumirë Massimo Ranieri, në moshën 75 vjeçare ylli i muzikës italiane na la: do t’i kujtojmë përgjithmonë sukseset e tij. Nuk ia doli dot të rezistonte.”
Fjalë që krijuan konfuzion dhe u riprodhuan në rrjete sociale nga qindra fansa me postime sinqerisht të trishtuar.
Lajmi i rremë mbi ndërrimin e jetës së këngëtarit nisi të përhapej mbrëmjen e djeshme dhe rezultoi trend gjatë gjithë ditës pasuese: emri Massimo Ranieri doli si termi i parë në trend, me mbi 200 mijë kërkime në motorët e kërkimit, siç tregon Google Trends. Artikulli arriti qëllimin e vet, fatkeqësisht duke përhapur një përmbajtje krejtësisht të pavërtetë.