

Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast të shfrytëzimit të banesave për veprimtari të paligjshme, duke vënë në pranga tre gra me shtetësi kineze. Ato akuzohen se kishin marrë me qira një apartament në zonën e Plazhit dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Operacioni policor, i koduar “Space”, u zhvillua pas tre javësh hetime me metoda proaktive. Përveç tre të arrestuarave, autoritetet kanë proceduar penalisht edhe pesë persona të tjerë të dyshuar si klientë, apo të përfshirë në këtë aktivitet.
Gjatë kontrollit të apartamentit u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale, mes tyre pasaportat e grave kineze, para të dyshuara si të përfituara nga prostitucioni, tetë telefona celularë dhe njëmbëdhjetë karta bankare të lëshuara në Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Materialet hetimore tashmë i janë dorëzuar Prokurorisë së Durrësit, e cila do të ndjekë procedurat e mëtejshme ligjore për rastin.