

Kina ka nisur përgatitjet për të evakuuar rreth 400 mijë persona nga qyteti i Shenzhen-it, përpara se tajfuni Ragasa të arrijë në territorin e saj, pasi stuhia ka goditur veriun e Filipineve, me shpejtësi ere deri në 215 km/h.
Super tajfuni Ragasa zbarkoi të hënën në provincën Calayan të Filipineve, në orën 15:00 me orën lokale. Sipas autoriteteve, mbi 8,200 banorë u evakuuan në Cagayan, ndërsa 1,220 të tjerë u strehuan në qendrat emergjente të Apayao-s.
Agjencia meteorologjike filipinase paralajmëroi rrezik të lartë për dallgë vdekjeprurëse mbi 3 metra në zonat bregdetare të provincave Cagayan, Batanes, Ilocos Norte dhe Ilocos Sur gjatë 24 orëve të ardhshme. Presidenti Ferdinand Marcos Jr urdhëroi pezullimin e punës në administratë dhe të mësimit në kryeqytet dhe në 29 provinca të rajonit verior Luzon.
Ragasa është fenomeni i 14-të tropikal që godet Filipinet këtë vit, ndërkohë që vendi po përballet me protesta të gjera kundër korrupsionit të lidhur me projekte fantazmë për kontrollin e përmbytjeve. Tajfuni pritet të lëvizë drejt perëndimit, duke qëndruar mbi Detin e Kinës Jugore deri të paktën të mërkurën, ndërsa kalon në jug të Tajvanit dhe Hong Kongut përpara se të prekë bregun kinez.
Autoritetet kineze kanë aktivizuar masat për kontrollin e përmbytjeve dhe kanë paralajmëruar reshje të dendura shiu që do të nisin të martën në mbrëmje. Në Shenzhen është paralajmëruar zhvendosja e qindra mijëra banorëve nga zonat bregdetare dhe të ulëta. Qytete të tjera të provincës Guangdong kanë njoftuar pezullimin e shkollave, punës dhe transportit publik.
Ndërkohë, Tajvani ka shpallur paralajmërime tokësore e detare, ka anuluar 146 fluturime të brendshme dhe ka evakuuar mbi 900 persona nga zonat malore jugore dhe lindore. Ministria e Mbrojtjes së Vietnamit ka urdhëruar trupat e saj të monitorojnë stuhinë dhe të përgatiten për një goditje të mundshme më vonë gjatë javës.