

Shtëpia e Bardhë konfirmon arritjen e një marrëveshjeje për ndarjen e operacioneve të TikTok-ut në SHBA, nga kompania kineze ByteDance, me Oracle dhe kompani të tjera amerikane si investitorë kryesorë.
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të firmosë këtë javë një urdhër ekzekutiv që zyrtarizon marrëveshjen për shkëputjen e operacioneve të TikTok-ut në SHBA nga ByteDance, kompania mëmë në Kinë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, marrëveshja me vlerë disa miliarda dollarë, është pranuar edhe nga autoritetet kineze, ndërsa mbeten vetëm procedurat formale.
Sipas strukturës së re, qytetarët amerikanë do të kenë gjashtë nga shtatë vendet në bordin drejtues të TikTok-ut në SHBA, ndërsa ByteDance do të ruajë më pak se 20% të aksioneve. Investitorët e rinj përfshijnë firmën e kapitalit Silver Lake, Oracle dhe Andreessen Horowitz. Bashkëthemeluesi i Oracle, Larry Ellison, është një aleat i ngushtë i Trump-it, ndërsa investitorë të tjerë si Marc Andreessen e Murdoch-ët janë gjithashtu të përfshirë.
Oracle do të presë të dhënat e përdoruesve amerikanë në serverët e saj, ndërsa algoritmi i aplikacionit do të transferohet dhe trajnohet në SHBA, jashtë kontrollit të ByteDance. Kjo, sipas administratës, synon të parandalojë manipulimin e përmbajtjes.
Edhe pse kritikët paralajmërojnë se investitorët e afërt me Trump mund të ndikojnë politikisht në përmbajtjen e platformës, Shtëpia e Bardhë e ka quajtur këtë teori konspirative pa bazë. Përfaqësuesi Kush Desai theksoi se marrëveshja siguron të ardhmen e TikTok-ut në SHBA, pa rrezikuar sigurinë kombëtare.
Në tregjet financiare, lajmi u prit me entuziazëm. Aksionet e Oracle u rritën mbi 5% të hënën, ndërsa Shtëpia e Bardhë parashikon që TikTok të gjenerojë deri në 178 miliardë dollarë aktivitet ekonomik në katër vitet e ardhshme.
Marrëveshja po ndodh në një klimë të tensionuar tregtare SHBA–Kinë. Vetëm disa ditë më parë, Trump zhvilloi bisedë me presidentin kinez Xi Jinping, pas tre muajsh mungesë komunikimi, ndërsa delegacione të të dy vendeve po diskutojnë për tarifat, investimet dhe kontrollet mbi eksportet e gjysmëpërçuesve.