
Aktori i famshëm hollywoodian, Robert De Niro, ka nisur një projekt gjigant në Karaibe: një resort ultra-luksoz prej 250 milionë dollarësh në ishullin Barbuda, pikërisht në plazhin ku princesha Diana pushonte dikur.
82-vjeçari, i cili ka mbi 60 restorante Nobu dhe 19 hotele në mbarë botën, ka zgjedhur t’i shtojë edhe një tjetër gur kurorës së tij të biznesit. Kompleksi, i quajtur The Beach Club Barbuda, do të shtrihet në 160 hektarë tokë private dhe mbi një kilometër vijë bregdetare. Ai do të përfshijë 17 bungalot, 36 dhoma, si dhe 25 vila luksoze buzë detit.
Çmimet e vilave do të nisin nga 12 milionë dollarë dhe do të jenë të personalizuara sipas dëshirës së klientëve, duke ofruar kinematë private, bodrume vere, kopshte plazhi, dush të jashtëm dhe madje edhe bar sushi. “Ky është versioni më i qetë i jetës në Karaibe. Çdo gjë është gati sapo të mbërrini”, -tha sipërmarrësi britanik Daniel Shamoon, pjesë e projektit.
Resorti pritet të hapet në vitin 2026, ndërsa një mik i aktorit e përshkroi si shumë diskret, i përulur, por me çdo element të luksit që mund të imagjinohet.
Plazhi ku po ndërtohet resorti njihet si “Lady Diana Beach”, pasi princesha e Uellsit e vizitonte shpesh gjatë viteve ’90. Ajo është fotografuar aty në vitin 1997, pak muaj para ndarjes së saj tragjike nga jeta, e shtrirë mbi një shezlong, buzëqeshur dhe e veshur me rrobabanjo ngjyrë blu e jeshile.
Karaibet kanë qenë gjithmonë një strehë për figurat e njohura. Diana kishte udhëtuar edhe më herët në rajon, përfshirë pushimet me princat William dhe Harry në ishullin Necker të Ishujve Virgjin Britanikë.