

Një tjetër përplasje e përgjakshme ka tronditur burgjet e Ekuadorit. Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë një revolte të dhunshme në qytetin portual të Machalës, në jug të vendit.
Sipas shefit lokal të policisë, William Calle, ngjarja shpërtheu të hënën, pas përplasjes mes bandave rivale brenda qelive. Gjatë trazirave u vra një roje burgu, ndërsa disa oficerë u mbajtën peng. “Nga brenda po qëllonin me armë zjarri, hidhnin bomba dhe granata,” -deklaroi Calle.
Disa të burgosur arritën të arratiseshin, por 13 prej tyre janë kapur sërish. Pas rreth 40 minutash, forcat e sigurisë arritën të rimerrnin kontrollin e institucionit.
Ekuadori është përfshirë nga dhuna e bandave, veçanërisht në burgje. Që prej vitit 2021, mbi 500 të burgosur janë vrarë në trazira të ndryshme, shpesh me skena makabre. Masakra më e madhe ndodhi po atë vit në Guayaquil, ku mbi 100 të burgosur humbën jetën.
Të vrarët e revoltës së fundit i përkisnin dy bandave më të fuqishme të trafikut të drogës në vend, Los Choneros dhe Los Lobos, të cilat vetëm pak ditë më parë u shpallën nga SHBA si organizata terroriste të huaja.
Ekuadori, i vendosur mes Kolumbisë dhe Perusë, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, është shndërruar në një nga vendet më të dhunshme në Amerikën Latine. Më shumë se 70% e kokainës globale kalon sot përmes porteve ekuadoriane.
Presidenti Daniel Noboa, i cili ka shpallur gjendje konflikti të armatosur të brendshëm, ka urdhëruar ushtrinë të marrë kontrollin e burgjeve. Por vetëm muajin e kaluar, kontrolli i disa prej tyre, përfshirë Machalën, iu rikthye policisë.
Një nga figurat më famëkeqe të krimit, Jose Adolfo Macias, i njohur si Fito, kreu i Los Choneros, u kap sërish këtë vit, pas një arratisjeje spektakolare. Edhe pse i dënuar me 34 vite burg për krime të rënda, ai vijonte të drejtonte bandën nga qelia, duke organizuar festa luksoze, brenda mureve të burgut.