

Një gjykatë në Zelandën e Re shpalli fajtore një 45-vjeçare për vrasjen e dy fëmijëve të saj të vegjël dhe fshehjen e trupave në valixhe, të cilat u zbuluan disa vite më vonë në një njësi magazinimi.
Hakyung Lee u shpall fajtore nga një juri në Gjykatën e Lartë të Auckland pas vetëm dy orësh diskutimesh, duke rrëzuar pretendimin e mbrojtjes për çmenduri. Ajo kishte vrarë djalin e saj Minu Jo, 6 vjeç, dhe vajzën Yuna Jo, 8 vjeç, në qershor 2018, pak muaj pas vdekjes së bashkëshortit nga kanceri.
Trupat e fëmijëve u gjetën në vitin 2022, kur përmbajtja e njësisë së magazinimit u nxor në ankand online, pasi Lee kishte ndaluar së paguari qiranë. Blerësi i ri zbuloi valixhet me mbetjet njerëzore brenda.
Prokuroria theksoi se veprimet e Lee pas krimit ishin të llogaritura dhe treguan se ajo ishte plotësisht e vetëdijshme për atë që kishte bërë. “Ishte një akt egoist për të shpëtuar nga barra e prindërimit vetëm, jo një akt i një nëne të çmendur që besonte se po bënte gjënë e duhur”, -deklaroi prokurorja Natalie Walker.
Lee, e cila pas krimit u largua drejt Koresë së Jugut dhe ndryshoi emrin, u gjurmua dhe u ekstradua në nëntor 2022. Ajo do të qëndrojë në paraburgim deri më 26 nëntor, kur pritet të shpallet dënimi. Në Zelandën e Re, dënimi për vrasje është burgim i përjetshëm, me minimum 10 vite para se të kërkohet lirimi me kusht.