

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së hënës në qytetin e Vlorës, ku 37-vjeçari Skerdi Mehmetaj, i njohur me nofkën “Piperi”, ka mbetur i plagosur me armë zjarri.
Mësohet se Mehmetaj, me origjinë nga Selenica, ka shkuar vetë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, duke pasur plagë në gjymtyrët e poshtme. Menjëherë stafi spitalor njoftoi Policinë për rastin.
Sipas burimeve zyrtare, ai udhëtonte me një fuoristradë Audi Q5 të bardhë, kur është qëlluar me armë, dyshohet pistoletë. Aktualisht gjendja e tij shëndetësore është nën monitorim nga mjekët.
Policia e Vlorës ka konfirmuar se nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po mbledh prova dhe po heton për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Hetuesit kanë ekzaminuar automjetin me të cilin udhëtonte Mehmetaj, duke kërkuar gjurmë që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Përveç kësaj, forcat e rendit kanë ngritur disa postblloqe në rrugët kryesore të qytetit bregdetar, ku po kryhen kontrolle ndaj mjeteve dhe qytetarëve me qëllim kapjen e të dyshuarve.