

Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje të martën Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që lufta në Gaza të përfundojë menjëherë, duke e cilësuar njohjen e shtetit palestinez nga disa vende perëndimore si një shpërblim për Hamasin.
“Duhet ta ndalim menjëherë luftën në Gaza,” -tha Trump, para liderëve botërorë në Nju Jork, duke shtuar se ka qenë thellësisht i angazhuar për një armëpushim. Ai përsëriti kërkesën për lirimin e pengjeve, duke theksuar se të gjithë ata që mbështesin paqen, duhet të jenë të bashkuar në këtë kërkesë.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë shmangu kritikat ndaj Izraelit dhe ia atribuoi dështimin e negociatave Hamasit, duke pretenduar se ky i fundit ka refuzuar oferta të arsyeshme për paqe. Në kontrast, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka theksuar se shtetësia për palestinezët është e drejtë, jo shpërblim.
Trump përdori podiumin e OKB-së edhe për të goditur vetë organizatën, duke e akuzuar se financon migracionin e paligjshëm dhe sulmon kufijtë e vendeve perëndimore. Ai i cilësoi emigracionin dhe energjinë e rinovueshme si kërcënimet më të mëdha për botën e lirë, ndërsa ndryshimet klimatike i quajti mashtrimin më të madh.
Trump u rikthye disa herë tek arritjet e tij në politikën e jashtme, duke pretenduar se ka mbyllur shtatë luftëra të ndryshme dhe se për këtë arsye, duhej të kishte marrë Çmimin Nobel për Paqe, edhe pse shtoi se nuk i interesojnë çmimet, por shpëtimi i jetëve.
Fjalimi i tij erdhi në një moment kur OKB po përballet me një periudhë që ekspertët e përshkruajnë si më të paqëndrueshmen në 80 vitet e saj, ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza, që ka shkaktuar mbi 65 mijë viktima palestineze që prej tetorit 2023.