

Organizata e Kombeve të Bashkuara, që prej krijimit të saj, 80 vite më parë, ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave. E themeluar pas Luftës së Dytë Botërore me misionin për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, OKB shpesh është akuzuar për mosveprim, për tejkalim të mandatit të saj apo për paaftësi për të dhënë rezultate konkrete. Në raste të tjera, organizata është përballur edhe me kriza të mëdha financiare.
Sot, pyetjet mbi legjitimitetin e saj janë rikthyer me forcë, sidomos për shkak të dështimit për të gjetur rrugëzgjidhje paqësore në konflikte madhore si ai në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme. Këto kritika, megjithatë, nuk janë të reja: që prej ditëve të para, Kombeve të Bashkuara u është vënë në dyshim aftësia për të përmbushur pritshmëritë që u shtruan mbi supet e saj në vitin 1945.
Ndërsa bota po kalon një periudhë të mbushur me tensione dhe konflikte, kriza e legjitimitetit të OKB shihet sot më e thellë se kurrë, duke rihapur debatin mbi rolin dhe efektivitetin e saj real në skenën ndërkombëtare.