

NASA mund të rikthehet në Hënë disa muaj më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht, pasi agjencia amerikane njoftoi se fluturimi i parë me astronautë i programit Artemis, mund të realizohet rreth Hënës dhe të kthehet në Tokë që në shkurt.
Programi Artemis është nisma kryesore shumë miliardëshe e SHBA për të rikthyer njerëzit në Hënë, duke konkurruar me përpjekjen e ngjashme të Kinës, e cila synon uljen e parë të astronautëve në Hënë, deri në vitin 2030.
Artemis I, një anije pa ekuipazh udhëtoi rreth Hënës në nëntor 2022. Qëllimi i misionit Artemis II, një fluturim dhjetëditor rreth Hënës, është të eksplorojë Hënën për zbulime shkencore, përfitime ekonomike dhe të ndërtojë themelet për misionet e para me ekuipazh drejt Marsit, sipas NASA.
Astronautët e Artemis II nuk do të zbresin në Hënë, por do të jenë të parët që do të udhëtojnë përtej orbitës së ulët të Tokës, që nga viti 1972. Fillimisht misioni ishte planifikuar për prill, por tani dritarja e nisjes mund të hapet më 5 shkurt. “Ne kemi një vend në rreshtin e parë për të parë historinë,” -tha Lakiesha Hawkins, zëvendës administratore e përkohshme në NASA, duke theksuar se siguria është prioriteti kryesor.
Artemis II është një provë për misionin më ambicioz, Artemis III, i planifikuar për vitin 2027, që parashikon uljen në Hënë përmes një varianti të raketës Starship të SpaceX. Ndërkohë, Artemis II do të përdorë raketën gjigante Space Launch System (SLS) dhe kapsulën Orion, të cilat do të nisen nga Kennedy Space Center në Florida, për herë të parë me ekuipazh.
NASA ka realizuar uljen më të famshme në Hënë mbi 50 vite më parë, në vitin 1969, kur Neil Armstrong, si komandant i Apollo 11, u bë njeriu i parë që vuri këmbën në sipërfaqen e saj.