

Volodymyr Zelensky dhe presidenti sirian Ahmed al-Sharaa diskutojnë për bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë në rifillimin e raporteve diplomatike.
Ukraina dhe Siria kanë rivendosur zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike, pasi liderët e tyre u takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas takimit me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa.
Ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, së bashku me një delegacion shoqërues, mori gjithashtu pjesë në takimin e së mërkurës në Nju Jork, sipas një deklarate të shkurtër të Ministrisë së Jashtme të Sirisë.
Ukraina ndërpreu marrëdhëniet me Sirinë në vitin 2022, pasi qeveria e ish-presidentit Bashar al-Assad njohu pavarësinë e republikave separatiste të mbështetura nga Rusia në Donetsk dhe Luhansk. Pak më vonë, Siria njoftoi ndërprerjen e lidhjeve me Kievin.
Zelensky konfirmoi se Ukraina dhe Siria kanë nënshkruar një komunikatë mbi rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
“E mirëpresim këtë hap të rëndësishëm dhe jemi të gatshëm të mbështesim popullin sirian në rrugën e tij drejt stabilitetit,” -shkroi ai në rrjetin X.
Ai shtoi se gjatë bisedimeve me presidentin sirian al-Sharaa u diskutuan sektorë premtues për zhvillimin e bashkëpunimit, sfidat e sigurisëme të cilat përballen të dy vendet dhe rëndësia e përballimit të tyre.
Dy palët ranë dakord të ndërtojnë marrëdhënie mbi bazën e respektit dhe besimit reciprok.
Al-Sharaa mbërriti në Nju Jork të dielën, me një delegacion ministrash, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme, duke shënuar pjesëmarrjen e parë të Sirisë në këtë nivel, pas gati 60 vitesh. Siria e kishte bojkotuar tubimin pas luftës arabo-izraelite të vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit. Presidenti i fundit sirian që kishte marrë pjesë ishte Nureddin al-Atassi (1966–1970).
Në janar, al-Sharaa mori pushtetin në Damask, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad nga forcat opozitare që ai udhëhiqte, duke i dhënë fund pesë dekadave të sundimit të familjes Assad mbi Sirinë.
Në fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të mbajtur të mërkurën, al-Sharaa bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Sirisë. Ai gjithashtu theksoi reformat e ndërmarra që nga marrja e pushtetit, duke përfshirë krijimin e institucioneve të reja, planin për zgjedhje dhe përpjekjet për të tërhequr investime të huaja.