

Ushtria e Koresë së Jugut hapi zjarr paralajmërues ndaj një anijeje tregtare të Koresë së Veriut që kaloi kufirin detar të kontestuar në Detin e Verdhë.
Forcat e Koresë së Jugut qëlluan me të shtëna paralajmëruese drejt një anijeje tregtare koreanoveriore që kaloi kufirin e diskutueshëm detar mes dy vendeve në Detin e Verdhë dhe qëndroi aty për rreth një orë, njoftuan zyrtarët.
Anija e Koresë së Veriut kaloi vijën kufitare të njohur si Northern Limit Line (NLL), pranë ishullit kufitar Baengnyeong, rreth orës 5 të mëngjesit me orën lokale, të premten (20:00 GMT), duke depërtuar deri në 5 km në jug të vijës ndarëse, bëri të ditur ushtria koreanojugore
Sipas autoriteteve, anija koreanoveriore u tërhoq pas dhjetëra të shtënave paralajmëruese, ndërsa një grupim i marinës së Koresë së Jugut ishte duke kryer operacione në zonë, gjatë shkeljes së kufirit.
Ngjarja ndodh ndërsa zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Kim Son-gyeong, pritet të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Deri tani, Koreja e Veriut nuk ka dhënë ndonjë koment për incidentin.
JCS shtoi në deklaratën e tij: “Do të ruajmë me vendosmëri gatishmërinë tonë dhe do të përgjigjemi me vendosmëri ndaj çdo situate për të mbrojtur vijën NLL.”
E premtja shënon rastin e parë pas tre vitesh, që një anije verikoreane ka kaluar përtej NLL-së. Në tetor 2022, një anije tjetër tregtare e Veriut kishte shkelur kufirin dhe u përzu pas të shtënave paralajmëruese nga një luftanije koreanojugore Në atë rast, ushtria koreanoveriore u kundërpërgjigj duke qëlluar 10 predha artilerie në drejtim të ujërave të Jugut.
Kufiri detar i diskutueshëm në perëndim të Gadishullit Korean është burim tensionesh të vazhdueshme dhe ka sjellë disa përplasje fatale, përfshirë bombardimin e një ishulli koreanojugor nga Veriu në vitin 2010 dhe sulmin me torpedo ndaj një anijeje të marinës koreanojugore të cilin Seuli ia atribuon Koresë së Veriut, duke shkaktuar vdekjen e 46 marinarëve.
NLL është vendosur si kufi de facto pas Luftës së Koresë (1950–53), por nuk njihet nga Koreja e Veriut, e cila pretendon se kufiri detar shtrihet më në jug. Vitin e kaluar, udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un e quajti këtë kufi të paligjshëm dhe arbitrar, duke kërkuar ridefinimin e kufijve të vendit të tij.