

Qeveria amerikane ka deklaruar se do të kundërshtojë çdo tentativë për të përjashtuar kombëtaren izraelite të futbollit nga Kupa e Botës 2026, mes thirrjeve në rritje për sanksione sportive ndaj Izraelit për shkak të gjenocidit në Gaza.
Sipas një deklarate të shpërndarë për mediat ditën e enjten, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit theksoi: “Ne do të punojmë me vendosmëri për të ndalur çdo përpjekje që synon të përjashtojë ekipin kombëtar të Izraelit nga Kupa e Botës.”
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Por, raportimet e fundit tregojnë se presioni mbi UEFA-n për të ndaluar Izraelin nga garat evropiane po rritet. Kjo mund të pengojë edhe kualifikimin e tij për Kupën e Botës, pas konkluzioneve të një komisioni hetimor të OKB javën e kaluar, i cili arriti në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid ndaj popullit palestinez.
Sipas Associated Press, shumica e anëtarëve të komitetit ekzekutiv të UEFA-s është në favor të ndalimit të ekipit izraelit, duke ngritur shqetësime për një standard të dyfishtë. Në vitin 2022, Rusia u përjashtua nga UEFA dhe FIFA pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Izraeli ka vijuar të marrë pjesë në garat ndërkombëtare, pavarësisht akuzave për krime lufte dhe vendimit të OKB-së për gjenocid.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, shtoi presionin javën e kaluar duke thënë: “Derisa barbaria të marrë fund, as Rusia dhe as Izraeli nuk duhet të marrin pjesë në asnjë garë ndërkombëtare.” Reuters raporton se UEFA pritet të thërrasë një votim emergjent javën e ardhshme për këtë çështje.
Edhe pse UEFA ka kompetencë të ndalojë Izraelin nga aktivitetet e saj, ajo nuk mund ta përjashtojë nga kualifikueset e Kupës së Botës, të cilat janë nën autoritetin e FIFA-s. Kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, i afërt me presidentin amerikan Donald Trump, ka qenë këtë javë në Nju Jork, në zyrat e FIFA-s në Trump Tower.
Me shumicën e ndeshjeve të Kupës së Botës 2026 që do të luhen në SHBA dhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Trump, i cili është njëkohësisht aleati më i fortë i Izraelit, mbetet e paqartë nëse FIFA do të miratojë një ndalim të tillë.
Presidenti i Federatës Palestinase të Futbollit, Jibril Rajoub,deklaroi se Izraeli duhet të ndalohet nga Kupa e Botës: “Izraeli ka shkelur parimet, vlerat dhe statutin e FIFA-s. Prandaj, besoj se Izraeli duhet të sanksionohet. Sanksionet duhet të vijnë nga UEFA dhe FIFA.”
Nga ana tjetër, Izraeli ka nisur lobimin intensiv për të mbajtur ekipin në garë. Ministri i Sporteve dhe Kulturës, Miki Zohar, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe presidenti i Federatës Izraelite të Futbollit, Moshe Zuares, po ushtrojnë presion për të siguruar pjesëmarrjen e kombëtares së tyre.
Çështja pritet të marrë kthesë javën e ardhshme, kur UEFA të zhvillojë votimin emergjent. Nëse miratohet ndalimi, mund të hapet një kapitull i ri në historinë e sportit, ku presioni ndërkombëtar dhe politika e jashtme ndërthuren drejtpërdrejt me futbollin.