

Një aksident i rëndë në fshatin Përpari të Peqinit i mori jetën punonjësit të pastrimit Kadri (Bedri) Dedej. Policia vuri në pranga dy drejtuesit e mjeteve të përfshirë në tragjedi.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, kur një furgon u përplas me mjetin e pastrimit, teksa punonjësi ndodhej pranë tij, duke kryer detyrën. Përplasja rezultoi fatale për Dedejn, i cili humbi jetën në vend.
Policia ka arrestuar drejtuesin e furgonit, Baftjar Debrova, si dhe shoferin e mjetit të pastrimit, Përparim Bufi. Të dy po mbahen përgjegjës në pritje të hetimeve që do të përcaktojnë rolin konkret të secilit në aksident.
Sipas burimeve zyrtare, grupi hetimor po analizon dinamikën e ngjarjes dhe do të përdorë ekspertizën rrugore për të sqaruar shkaqet që çuan në tragjedi.