

Në Francën e shekullit XVI, disa fisnikë besonin se pirja e arit mund të sillte rini të përhershme. Në rastin e Diane de Poitiers, të dashurës së mbretit Henri II, kjo praktikë rezultoi fatale.
Ari është përdorur që në lashtësi për qëllime mjekësore, pasi mendohej se kishte veti të veçanta për shkak se nuk prishej. Në Egjiptin e lashtë besohej se pijet me ar ndihmonin kundër plakjes, ndërsa alkimistët kinezë e quanin eliksir të pavdekësisë. Në shekullin VIII, alkimisti arab Jabir shpiku ujin mbretëror që shpërbënte arin, duke nxitur modën e të ashtuquajturit “aurum potabile“, ari i pijshëm, që u përhap sidomos në Evropë gjatë Rilindjes.
Në Francën e shekullit XVI, shumë aristokratë nisën ta pinin arin të tretur në ujë, duke besuar se parandalonte rrudhat dhe plakjen. Më i famshmi rast është ai i Diane de Poitiers (1500–1566), e njohur për bukurinë dhe vitalitetin e saj, pavarësisht se ishte gati 20 vite më e madhe se mbreti Henri II, me të cilin kishte një lidhje të gjatë. Kronistët e kohës shkruajnë se Diane dukej shumë më e re për moshën e saj dhe besohej se sekreti ishte zakoni i saj për të pirë çdo ditë ujë me grimca ari.
Pas vdekjes së saj në moshën 66-vjeçare, trupin e Diane de Poitiers e gjetën gjatë gërmimeve arkeologjike vetëm disa vite më parë. Analizat shkencore të kryera në vitin 2008 mbi flokët e saj treguan se ajo kishte nivele ari 500 herë mbi normën e tolerueshme për trupin e njeriut. Përveç kësaj, u zbuluan edhe gjurmë merkuri, një tjetër përbërës i eliksireve që përdorte.
Ekspertët konfirmuan se përdorimi i përditshëm i arit i kishte shkaktuar intoksikim kronik, që çoi në anemi, dobësim të kockave, rënien e flokëve dhe hollimin e tyre. Sipas mjekut ligjor Philippe Charlier, ky helmim ishte shkaku kryesor i vdekjes së saj.