

Gjiganti i tregtisë online pranoi të paguajë një shumë rekord për të mbyllur procesin gjyqësor në SHBA, pasi akuzohej se kishte futur miliona konsumatorë në shërbimin Prime përmes praktikave manipuluese dhe anulimeve të vështira.
Amazon ka rënë dakord të paguajë 2.5 miliardë dollarë për të mbyllur çështjen gjyqësore të hapur nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) në SHBA, që e akuzonte për mashtrim masiv të konsumatorëve. Nga kjo shumë, 1.5 miliardë dollarë do të shkojnë për kompensimin e përdoruesve të dëmtuar, ndërsa 1 miliard do të kalojë si gjobë në Thesarin amerikan.
FTC akuzonte Amazon se kishte përdorur të ashtuquajturat “dark patterns”, ndërfaqe manipuluese që nxisnin përdoruesit të abonoheshin në Prime gjatë blerjeve online, shpesh pa dhënë miratimin e tyre të qartë. Gjithashtu, kompania kishte krijuar një sistem anulimi të qëllimshëm të ndërlikuar, të quajtur brenda kompanisë “Iliada”, për të penguar klientët të ndërprisnin abonimin.
Shërbimi Prime, me një kosto prej 139 dollarësh në vit, ofron shpërndarje të shpejtë dhe falas, zbritje në dyqane të përzgjedhura dhe akses në platformën video të Amazon. Por sipas FTC-së, miliona përdorues u regjistruan pa e ditur, ose duke u përballur me kushte jo transparente.
Presidenti i FTC, Andrew N. Ferguson, e quajti marrëveshjen një fitore monumentale për miliona amerikanë të lodhur nga abonimet e padrejta. Ndërkohë, Amazon në një reagim pohoi se gjithmonë ka respektuar ligjin dhe se marrëveshja i lejon të përqendrohen tek inovacioni dhe shërbimi ndaj klientëve.
Sipas marrëveshjes, kompania e Seattle do të duhet të marrë pëlqim të qartë para çdo regjistrimi dhe pagese, si dhe të ofrojë procedura më të thjeshta për anulim, në një protokoll që do të jetë i detyrueshëm për dhjetë vitet e ardhshme.
Çështja u shqyrtua këtë javë nga një gjykatë federale në Seattle, nën drejtimin e gjyqtarit John Chun, i cili do të kryesojë edhe një tjetër proces kundër Amazon për monopol të paligjshëm, i planifikuar për vitin 2027.