

Ndërsa Bashkimi Evropian përgatit një mur anti-dronë për të përballuar kërcënimin rus, mungesa e Hungarisë ka ngritur shqetësime serioze. E afërt me Moskën, politika e Viktor Orbán dobëson këtë projekt strategjik dhe hedh dyshime mbi forcën e mbrojtjes europiane.
Paralizimi i aeroporteve në Danimarkë e Norvegji dhe kalimet e shpeshta të dronëve rusë mbi kufijtë evropianë kanë theksuar rrezikun ajror. Për t’iu përgjigjur, të paktën shtatë vende të BE (Estonia, Letonia, Lituania, Finlanda, Polonia, Rumania dhe Bullgaria), si dhe Ukraina, po diskutojnë këtë të premte për projektin e ri të mbrojtjes. Ukraina, tashmë e detyruar nga lufta, është bërë lidere botërore në luftën kundër dronëve.
Mungesa e Hungarisë shihet si një boshllëk i madh në sistemin e ardhshëm të mbrojtjes. Analistë në Bruksel e interpretojnë këtë si një tjetër shenjë të afrimit të Orbán me Kremlinin. Që nga nisja e luftës në Ukrainë, kryeministri hungarez e ka quajtur Vladimir Putinin një partner të drejtë, ka bllokuar sanksione dhe deklarata kundër Rusisë dhe refuzon të heqë dorë nga energjia e lirë ruse.
“Pa Hungarinë, muri i dronëve të BE do të ishte një ‘vijë Maginot në qiell’,” -paralajmëron Jessica Berlin, nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane. Kjo mungesë do të linte një boshllëk prej 96 mijë km² në mes të Evropës.
Disa zyrtarë evropianë dyshojnë se Orbán vë interesat e Kremlinit përpara atyre të partnerëve të tij. Ata frikësohen se Budapesti mund të vendosë veto për ta bllokuar krejtësisht projektin, thjesht për të kënaqur Putinin.
Slovakia, një tjetër vend i dyshuar për afërsi me Moskën, fillimisht ishte përjashtuar nga bisedimet, por u përfshi pas reagimeve të saj kundërshtuese.
Megjithëse sulmet me dronë po shtohen në zemër të kontinentit, projekti është ende në fazë fillestare. Ekspertë të mbrojtjes paralajmërojnë se Evropa nuk është e përgatitur për një përballje me flotën masive të dronëve rusë, nëse lufta përshkallëzohet. Për momentin, BE duket se po vrapon pas kërcënimit, me rrezikun që të ndërtojë një mur, më shumë simbolik sesa efektiv.