

Partia Demokratike ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht kandidatin për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Kreu i PD, Sali Berisha, tha se procesi është në zhvillim dhe se do të ketë konsultime të gjera me forcat e tjera opozitare, për të dalë me një emër të përbashkët.
Sipas tij, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Ilir Alimehmeti janë tre personalitetet që po shqyrtohen aktualisht si mundësi për garën. Berisha nënvizoi se vendimi final nuk do të jetë i njëanshëm, por rezultat i diskutimeve dhe marrëveshjes me aleatët opozitarë.
“Unë personalisht nuk dua të shpreh parapëlqimin tim për ndonjërin prej tyre,” -tha Berisha, duke shtuar se prioriteti kryesor mbetet bashkimi i opozitës dhe paraqitja e një kandidature të fortë kundër maxhorancës socialiste në kryeqytet.