

Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu u përball me një skenë të pazakontë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: fishkëllima, thirrje kundërshtuese dhe dalje demonstrative të disa delegacioneve diplomatike nga salla, ende pa filluar fjalimi i tij.
Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga kamerat e OKB treguan diplomatë që linin vendet e tyre në heshtje. Ndërkohë që Netanyahu i afrohej podiumit, në sallë u dëgjuan fishkëllima, të cilat disa përkrahës tentuan t’i kundërbalanconin me duartrokitje. Ky reagim i rrallë e vendosi fjalimin në një atmosferë tensioni të lartë.
Netanyahu e nisi fjalimin pa komentuar protestat, duke mbajtur një ton të njohur: mbrojtje të ofensivës izraelite në Gaza dhe sulme verbale ndaj Iranit, të cilin e cilësoi sërish si “kërcënim ekzistencial”. Ai përfundoi pa ndërprerje, por nën një klimë të ftohtë e të ndarë, mes duartrokitjeve të vakëta dhe refuzimit të hapur të shumë të tjerëve.
Kjo skenë në OKB ndodhi teksa situata në Gaza është e përshkruar si dramatike. Autoritetet shëndetësore palestineze raportojnë mbi 65.500 të vrarë që nga tetori 2023, shumica gra e fëmijë. Dhjetëra civilë janë qëlluar në zonat e shpërndarjes së ndihmës humanitare muajt e fundit, ndërsa agjencitë ndërkombëtare paralajmërojnë për rritje të theksuar të urisë dhe kolaps të plotë të sistemit të ndihmës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, e ka cilësuar situatën në Gaza si vdekje dhe shkatërrim pa precedent, ndërsa në janar 2024 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin të parandalonte çdo akt gjenocidi dhe të lejonte ndihmën humanitare.
Në korrik 2025, Gjykata Penale Ndërkombëtare konfirmoi mandatet e arrestit kundër Benyamin Netanyahut dhe ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte, përfshirë përdorimin e urisë si mjet lufte.