

Hetimi i Prokurorisë së Posaçme ka zbardhur detaje të reja mbi zhdukjen dhe vrasjen e Klevis Lleshit nga Burreli, i rrëmbyer në gusht të vitit 2020 dhe gjetur i groposur në një zonë të Kurbinit në vitin 2023. Sipas dosjes hetimore, Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol Lounge” në Tiranë, dyshohet si personi që urdhëroi ekzekutimin. Ai është një nga katër personat për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër-arrest, por deri tani policia ka ekzekutuar vetëm një prej tyre, pa bërë publik identitetin.
Ky krim shihet si një hallkë e re në zinxhirin e gjatë të hakmarrjes mes dy familjeve rivale nga Burreli, Lleshi dhe Hoxha, një konflikt që nisi në Britaninë e Madhe më 2012, kur u vra Agim Hoxha. Për atë ngjarje u dënua me 32 vite burg Arben Lleshi, shok i ngushtë i viktimës.
Që prej asaj kohe, gjakmarrja ka prodhuar një sërë viktimash: në vitin 2013 u vra babai i Klevisit, Xhavit Lleshi; tre vite më pas ra i ekzekutuar xhaxhai i tij, Hajredin Lleshi, ndërsa po atë vit u zhduk kushëriri Artan Lleshi. Vetë Klevisi u rrëmbye në 2020, duke u gjet i pajetë vetëm dy vite më vonë. Në vitin 2023, brenda burgut të Peqinit, u vra edhe Arben Lleshi – i dënuari për vrasjen e parë që ndezi zinxhirin e përgjakshëm.
Në total, konflikti mes dy fiseve ka marrë të paktën gjashtë jetë në më shumë se dhjetë vjet. Autoritetet thonë se po vijojnë operacionet për të ndaluar personat e tjerë të përfshirë dhe për të frenuar një cikël gjakmarrjeje që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe është shtrirë në kohë e hapësirë.