

Një tjetër kullë gjigante do të ngrihet në kryeqytet. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar më 25 qershor 2025 një vendim që i hap rrugë ndërtimit të kompleksit “Tirana Lake”, i cili do të jetë objekti më i lartë mes 40 lejeve të dhëna atë ditë. Pas këtij vendimi, biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj ka marrë dritën jeshile për ndërtimin e një strukture 58-katëshe, shoqëruar me 6 kate nëntokë, pranë digës së Liqenit Artificial.
Sipas dokumentacionit zyrtar, projekti zhvillohet nga shoqëria “Aba Tower” sh.p.k., me administratore Artila Ulajn dhe me aksionerë Bashkim Ulajn së bashku me kompaninë “Aba Hospitality”. Trualli ku do të ngrihet kulla ka një sipërfaqe prej mbi 32 mijë metra katrorë, duke e shndërruar zonën në një prej destinacioneve më të rëndësishme të ndërtimit të lartë në Tiranë.
“Tirana Lake” do të shtohet në listën e investimeve të Ulajt në këtë hapësirë, ku ai ka ngritur edhe projektet “Lake View”, të cilat tashmë dominojnë panoramën buzë liqenit. Me përfundimin e saj, kulla pritet të bëhet një nga simbolet e reja arkitektonike të kryeqytetit.