

Presidenti venezuelian akuzon SHBA për censurë politike dhe përpjekje për kontroll mbi naftën, ndërsa tensionet me platformat ndërkombëtare rriten.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka reaguar me ironi dhe tone të ashpra ndaj vendimit të YouTube për të fshirë kanalin e tij me më shumë se 233 mijë ndjekës. Platforma e hoqi faqen më 19 shtator, pa dhënë një arsye zyrtare, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin diplomatik dhe ushtarak mbi Caracasin, duke akuzuar kreun e shtetit për trafik droge dhe duke vendosur anije luftarake në Karaibe.
Në një fjalim televiziv, Maduro e quajti këtë një akt të hapur censure, por tha se veprime të tilla vetëm e forcojnë përhapjen e mesazheve të tij. “Sa më shumë censurë, aq më shumë fjala kalon. Vazhdoni, imperialistë budallenj të YouTube! Ju lumtë, keni fituar shpërblimin e muajit!”, -ironizoi ai. Sipas presidentit, qëllimi i Uashingtonit është ta rrëzojë nga pushteti dhe të marrë kontrollin e pasurive natyrore të Venezuelës, veçanërisht të naftës.
Ky nuk është rasti i parë i përplasjes mes qeverisë së Venezuelës dhe platformave ndërkombëtare. Në vitin 2020, YouTube pezulloi kanalin e televizionit shtetëror “Venezolana de Televisión”, ndërsa në vitin 2024 mbylli kanalin e emisionit të Diosdado Cabello, një nga figurat më të fuqishme të regjimit dhe aktualisht ministër i Brendshëm. Ironikisht, vetëm disa javë para mbylljes, platforma i kishte dhënë Cabello-s një pllakë për arritjen e 100 mijë shikuesve.
Nga ana tjetër, Maduro vetë ka ndërmarrë masa kundër rrjeteve sociale perëndimore. Në vitin 2024 ai urdhëroi pezullimin e platformës X (Twitter) në Venezuelë dhe bëri thirrje që qytetarët të shmangnin përdorimin e WhatsApp, duke i orientuar drejt Telegram-it dhe aplikacioneve kineze si WeChat. Megjithatë, WhatsApp mbetet ende gjerësisht e përdorur në vend, përfshirë edhe nga mbështetës të qeverisë.