

Një ngjarje e rëndë me shumë pikëpyetje ka tronditur zonën e Tepelenës pas mesnate. Në territorin e njohur si Dilan, mes fshatrave Nivicë dhe Salari, u gjet i pajetë 44-vjeçari italian Edoardo Sarchi, i cili prej më shumë se dy dekadash jetonte në Shqipëri dhe kishte ngritur aktivitetin e tij në industrinë e tullave në Tiranë.
Sipas burimeve hetimore, Sarchi kishte kaluar mbrëmjen në banesën e Eqerem Braçit në Salari, përpara se grupi të dilte për gjueti natën vonë. Pak orë më pas, trupi i tij u gjet në rrugën rurale të zonës. Në komisariatin e Gjirokastrës u shoqëruan katër persona: Eqerem Braçi, dy djemtë e tij, Daniel dhe Gazmend Braçi, si dhe një tjetër individ, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik.
Dëshmitë e tyre kanë rezultuar kontradiktore: disa deklaruan se e gjetën italianin të pajetë në rrugë, ndërsa të tjerë pretenduan se ai u plagos dhe ndërroi jetë teksa ndodhej në duart e tyre.
Në vendngjarje u sekuestruan dy armë gjahu, të cilat do të analizohen, si dhe dy automjete – një Volkswagen që i përkiste Sarchit dhe një Land Rover Defender, i cili kishte goma të dëmtuara. Pranë mjetit të dytë u zbuluan edhe gjurmë gjaku, që sugjerojnë se viktima është zhvendosur nga vendi ku është goditur. Mbetet e paqartë nëse dëmtimet e gomave janë rezultat i të shtënave, pasi deri tani nuk janë gjetur gëzhoja.
Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë – që nga një aksident gjatë gjuetisë deri te një vrasje e mirëplanifikuar. Lidhja e ngushtë e viktimës me Braçin, me të cilin ishte ortak në fabrikën e tullave, i jep rastit edhe më shumë dimensione të ndërlikuara, duke e bërë çështjen një ndër më të bujshmet e viteve të fundit në këtë zonë.