

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri hedh dritë mbi problemet më të mprehta të qeverisjes ekonomike. Në qendër të kritikave janë kontratat PPP dhe ligji për investimet strategjike, të cilat Uashingtoni i cilëson si mekanizma që në vend të zhvillimit kanë prodhuar përqendrim të interesave në duart e grupeve të lidhura me pushtetin.
Në dokument theksohet se përdorimi i vazhdueshëm i partneriteteve publik-privat ka dobësuar konkurrencën, duke penguar hyrjen e investitorëve të huaj në sektorë të rëndësishëm si infrastruktura. Raporti përmend analizat e mangëta dhe mungesën e ekspertizës teknike në hartimin dhe mbikëqyrjen e këtyre kontratave, duke shtuar se disa kompani amerikane janë detyruar të ndjekin rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar pas mosmarrëveshjeve me palë shqiptare.
Edhe më i ashpër është vlerësimi për ligjin e investimeve strategjike, të miratuar në vitin 2015 dhe të shtyrë deri në fund të vitit 2026. Sipas DASH, ky ligj është përdorur më së shumti për të favorizuar kompani vendase me lidhje të ngushta politike, ndërsa investitorët e huaj kanë mbetur në hije. Procedurat burokratike dhe pengesat institucionale ulen vetëm për klientelën pranë qeverisë, e cila përfiton me shpejtësi statusin e investitorit strategjik.
Në vend që të shërbente si magnet për kapitalin e huaj, raporti amerikan e portretizon ligjin si një fasadë ligjore, ku përfitues kryesorë janë individë dhe kompani të afërta me mazhorancën. Kjo goditje e re e Uashingtonit pason akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe abuzime në administratë, duke forcuar perceptimin se shteti është i kapur nga interesat private të pushtetit.