

Mesazhi nga Shtëpia e Bardhë: Ankaraja të distancohet nga Moska, ndërsa Uashingtoni premton të ruajë ekuilibrat në Lindjen e Mesme
Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë, u zhvillua në kuadër të javës diplomatike të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Në prani të mediave, Trump e përshëndeti Erdogan-in si një partner të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme, por nuk hezitoi t’i dërgojë një mesazh të qartë: Ankaraja duhet të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia.
Trump deklaroi gjithashtu se nuk do të lejojë që Izraeli të aneksojë Cisjordaninë, duke e lidhur këtë qëndrim me përpjekjet e tij për të frenuar konfliktet në Ukrainë dhe Gaza. Ndërsa presidenti amerikan foli hapur para kamerave, Erdogan preferoi të qëndronte i rezervuar, duke shmangur komentet e drejtpërdrejta mbi çështjet e ndjeshme të diskutuara.
Ky takim shënon një sinjal të fortë mbi peshën gjeopolitike të Turqisë, si aleate strategjike në NATO, por edhe si aktore kyçe në dinamikat e sigurisë rajonale dhe globale.