

Organizatorët italianë citojnë sigurinë publike, mes protestave pro-palestineze dhe akuzave për krime lufte në Gaza
Ekipi i çiklizmit Israel–Premier Tech nuk do të marrë pjesë në garën e ardhshme prestigjioze italiane “Giro dell’Emilia”, pasi organizatorët vendosën ta përjashtojnë, për arsye sigurie. Vendimi erdhi pas tensioneve të fundit në garën “Vuelta a Espana” në Spanjë, e cila u ndërpre për shkak të protestave pro-palestineze kundër pjesëmarrjes së ekipit izraelit.
Organizatori i garës, Adriano Amici, deklaroi se ishte i detyruar të merrte këtë hap për sigurinë e atletëve, stafit teknik dhe spektatorëve, duke paralajmëruar se për shkak të natyrës së qarkut përfundimtar, rreziku për ndërprerje të garës ishte shumë i lartë. Gara, që mbahet më 4 tetor dhe përfundon me ngjitjen drejt shenjtërores Madonna di San Luca në Bolonjë, pritet të tërheqë mijëra spektatorë.
Autoritetet lokale të Bolonjës kishin kërkuar gjithashtu përjashtimin e ekipit, duke akuzuar qeverinë izraelite për krime të rënda ndaj popullsisë civile në Gaza. Vendimi u përshëndet nga këshilltarja e sportit të qytetit, Roberta Li Calzi, e cila theksoi se do të ishte hipokrizi të injorohej lidhja e ekipit me shtetin izraelit, në këtë moment lufte.
Izraeli përballet me presion në rritje në arenën ndërkombëtare për shkak të luftës në Gaza, ku janë vrarë gati 66 mijë palestinezë, që prej tetorit 2023. Në frontin sportiv, UEFA pritet të votojë së shpejti për pezullimin e përfaqësueses izraelite të futbollit nga të gjitha kompeticionet, ndërsa edhe Eurovision është në diskutim për ta përjashtuar nga gara e vitit 2026.