

Kryeministri shqiptar i bën thirrje Kosovës të përmbushë detyrat e saj dhe të mos e lidhë rrugën drejt BE-së me qëndrimet e Beogradit
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për mediat kosovare, u shpreh se e ardhmja e Kosovës nuk duhet të kushtëzohet nga qëndrimet e Beogradit, por nga përmbushja e detyrave që lidhen me dialogun dhe integrimin euroatlantik.
Ai theksoi se Kosova duhet të përqendrohet tek reformat e brendshme dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut me Serbinë, duke i parë ato si hapa për forcimin e shtetit dhe afrimin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
“Për të fituar paqen, Kosova duhet të ulet në tryezën e komunitetit demokratik. Kjo arrihet duke bërë detyrat e veta, pa u varur nga Serbia, pa u ndalur tek pretendimet apo deklaratat e saj. Nëse Kosova i përmbush të gjitha pikat e kërkuara, atëherë i jep legjitimitet vetes që t’i thotë botës: ‘Unë kam bërë pjesën time, tani merruni me Serbinë’,” -u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi se ky është momenti që Kosova të ecë përpara në mënyrë të njëanshme, duke mos e lënë të ardhmen e saj peng të lëvizjeve politike të Serbisë.