

Operacioni i policisë spanjolle zbulon rrjet të ri shqiptarësh të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës
Policia spanjolle ka finalizuar një operacion antidrogë në Castelldefels, ku tre shtetas shqiptarë u arrestuan pasi u kapën me 16 kilogramë kokainë, me një vlerë tregu që kalon 500 mijë euro.
Ngjarja ndodhi më 22 shtator, kur oficerë civilë vunë re lëvizje të dyshimta mes disa automjeteve në një parking pranë një supermarketi. Pas kontrollit të një valixheje të ndërruar midis makinave, u gjet sasia e madhe e drogës, ndërsa policia sekuestroi gjithashtu mbi 7mijë euro cash dhe një shumë të vogël në lekë shqiptare.
Të ndaluarit, të moshës nga 20 deri në 46 vjeç, u akuzuan për trafik droge dhe më 24 shtator u paraqitën në Gjykatën e Gavas, ku u vendos masa “arrest me burg” për të tre.
Autoritetet spanjolle vunë në dukje se shqiptarët shpesh lidhen me trafikun e marijuanës, por ky rast tregon një përfshirje gjithnjë e më të madhe të grupeve kriminale shqiptare në tregtinë e drogave të forta si kokaina. Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej të dyshuarve dhe për të zbuluar origjinën dhe destinacionin e drogës.