

Nga kriza e martesave tradicionale tek partnerët virtualë, Japonia po zbulon forma të reja dashurie përmes teknologjisë
Një fenomen i pazakontë po tërheq vëmendjen e opinionit publik në Japoni: martesa mes njerëzve dhe personazheve të krijuar nga bota virtuale. Në librin “Les Amours artificielles au Japon”, studiuesja Agnès Giard sjell rezultatet e tetë viteve kërkime mbi këtë realitet të ri social, duke treguar sesi kufijtë mes botës reale dhe asaj digjitale po zbehen.
Rasti më i famshëm është ai i Kondo Akihiko, një funksionar 35-vjeçar që më 4 nëntor 2018 organizoi ceremoninë e martesës në Tokio me Hatsune Miku, një këngëtare virtuale shumë e njohur në Japoni. Gjatë dasmës, “nusja” u përfaqësua nga një kukull me flokë ngjyrë turkeze, të cilën Akihiko e mbante pranë zemrës. Ai është pjesë e një grupi të quajtur “fictosexuels”, që zgjedhin të jetojnë lidhje emocionale dhe intime me personazhe të fikshënit.
Fenomeni lidhet ngushtë me ndryshimet sociale dhe ekonomike që ka përjetuar Japonia. Me një krizë të martesave tradicionale, me normat e forta shoqërore dhe me plakjen e popullsisë, shumë japonezë zgjedhin alternativat digjitale për të shmangur presionin e konvencioneve. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2040 një në dy persona në Japoni do të jetojë i vetëm. Për këtë arsye, figurat virtuale, nga këngëtaret sintetike tek heronjtë e lojërave elektronike, po bëhen partnerë të rinj për një pjesë të shoqërisë.
Giard nënvizon se ky fenomen nuk duhet parë vetëm si regresiv, apo si largim nga realiteti, përkundrazi, në këtë marrëdhënie të re midis imagjinatës dhe jetës reale, ajo sheh një mënyrë të re të krijimit të intimitetit dhe identitetit personal.