

Tang Renjian, ish-ministër i Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale në Kinë, është shpallur fajtor për marrje ryshfeti dhe u dënua me vdekje me kusht nga një gjykatë në provincën Jilin, njoftoi agjencia shtetërore Xinhua.
Sipas vendimit gjyqësor, Tang kishte përfituar shuma të mëdha parash dhe prona të paluajtshme me vlerë mbi 268 milionë juanë (37.6 milionë dollarë), gjatë periudhës 2007–2024 kur mbante funksione të ndryshme në administratë. Gjykata e Changchun-it vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit për dy vjet, duke marrë parasysh rrëfimin dhe bashkëpunimin e tij në proces.
Tang u përjashtua nga Partia Komuniste në nëntor 2024, gjashtë muaj pas nisjes së hetimit nga komisioni antikorrupsion dhe pas shkarkimit nga detyra e ministrit. Ai ka shërbyer më parë si guvernator i provincës Gansu nga viti 2017 deri në vitin 2020, përpara emërimit në kabinetin qendror.
Ky rast është pjesë e një vale të gjerë hetimesh kundër korrupsionit në nivelet më të larta të shtetit kinez, që ka përfshirë edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Li Shangfu, si dhe paraardhësin e tij, Wei Fenghe.
Presidenti Xi Jinping, në një deklaratë të bërë në janar, e ka cilësuar korrupsionin si kërcënimin më të madh për Partinë Komuniste, duke paralajmëruar se fenomeni jo vetëm që nuk është zhdukur, por po bëhet gjithnjë e më i thellë.