

E përditshmja prestigjioze italiane “Corriere della Sera” ka raportuar gjerësisht për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ngjarje që ka tronditur opinionin në të dy vendet. 44-vjeçari, CEO i kompanisë së ndërtimit Tegola Edilcentro, u gjet i vrarë në rrethana të paqarta në zonën malore të Salarisë, rreth 200 kilometra larg Tiranës, gjatë një udhëtimi gjuetie me një familje shqiptare me të cilën kishte lidhje biznesi.
Ngjarja ndodhi mesnatën mes së premtes dhe të shtunës, ndërsa hetimet e para tregojnë se Sarchi është qëlluar jashtë automjetit ku ndodhej. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmë gjaku mbi asfalt dhe mbi makinën e tij. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që ai të jetë vrarë me armë zjarri, por nuk përjashtojnë përdorimin e mjeteve të tjera si levë, thikë apo gurë.
Familja shqiptare që ndodhej me të ka dhënë dëshmi kontradiktore dhe sipas mediave italiane, ajo njihet për episode të mëparshme dhune. Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me konfliktet për motive financiare.
Ambasada italiane në Tiranë ka ndërhyrë menjëherë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e viktimës në Itali. “Corriere della Sera” kujton se familja Sarchi ka pasur lidhje të forta me Shqipërinë nëpërmjet aktivitetit ndërtimor të trashëguar nga xhaxhai dhe i zhvilluar më pas nga vetë Edoardo.
Hetimet nga autoritetet shqiptare vijojnë, ndërsa ende nuk është dhënë një version zyrtar për motivin dhe autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë.